Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 13:12

Tiranë – Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, tha sot në një prononcim për mediat, se “mesazhet e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Euroazinë, Tomas Kantrimen, janë shumë të qarta, shumë konsistente dhe i referohen gjithmonë një parimi që në Shqipëri funksionon shteti i së drejtës, prandaj duhen dëgjuar institucionet”.

Sipas Haxhinastos, “institucionet e pavarura duhet të thonë fjalën e tyre dhe kësaj logjike demokratike duhet t’i bashkohen të gjitha partitë politike”.

Përsa i përket opsionit që dha z. Kantrimen ku palët mund t’i drejtohen Komisionit të Venecias, Haxhinasto theksoi se “Kantrimen i referohet shumë qartë funksionimit institucional në Shqipëri. Institucionet funksionojnë në bazë të ligjeve. Hapësirat ligjore janë hapësira ligjore, prandaj nuk ka nevojë për interpretime dhe komente politike”.

Në lidhje me letrën e hapur që kreu i opozitës, Edi Rama, u drejtoi dje qytetarëve lidhur me vendimet e Kolegjit Zgjedhor, Haxhinasto u shpreh se nuk e ka lexuar dhe nuk e di nëse do të gjejë kohë për ta lexuar.