Lajme Shqip Wednesday, 22 June 2011 07:54

Tiranë – Tre shtetas, mes tyre një punonjëse e policisë së Tiranës, u arrestuan sot pasi dyshohen për falsifikim kartash bankare për qëllime përfitimi.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur sot se nga Sektori Kundër Krimit Kompjuterik në Drejtorinë Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, dhe Njësinë e Përbashkët hetimore “Task Force” në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, pas një hetimi 5 mujor,  u finalizua sot operacioni policor “Skimmer 3″,   në kuadër të të cilit u arrestuan shtetasit Maliq  Kaca, 29 vjeç, banues në Tiranë, emigrant në Angli, Bedri Muda, 36 vjeç, banues në Tiranë dhe Rajmonda Muda (Kaca) 27 vjeç, me detyrë punonjëse e policisë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.
Sipas policisë, këta shtetas akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nga muaji Janar i vitit 2011, kanë falsifikuar dhe përdorur karta bankare me shirit magnetik, të cilat brenda tyre përmbajnë informacion bankar të kartave të tjera si VISA, MASTER etj, karta keto që dyshohet të jenë në pronësi të shtetasve të huaj britanikë apo amerikanë.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Maliq Kaca është emigrant në Britaninë e Madhe dhe në periudhën e mësipërme ka sjellë kartat plastike me shirit magnetik tek familjarët e tij, Rajmonda Muda (Kaca) dhe Bedri Muda.  Këta dy shtetas me anë të tyre, kanë kryer blerje të ndryshme, ndërsa kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma të konsiderueshme deri në 30.000 euro.
Në momentin e arrestimit, si dhe gjatë kontrollit të ambienteve, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 30 (tridhjetë) copë Karta plastike me shirit magnetik,  dollarë të dyshuar të falsifikuar të prerjes 100-she, 10 copë si dhe 4 telefona celular.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “mashtrimit kompjuterik”, parashikuar nga neni 143/b/2 të Kodit Penal,  ndersa do vijojnë hetimet dhe për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”.