Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 18:06

Tiranë – Partia Demokratike deklaroi sot, se Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama formuloi sulmin e radhës ndaj institucioneve të pavarura dhe shtetit ligjor, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të numëruar çdo votë të panumëruar në çdo kuti.

“Kryetari i PS-së, që vetëm 4 ditë më parë, sulmoi vendimin e KQZ-së, me akuzën se ishin numëruar votat e hedhura gabim vetëm në 127 kuti dhe jo në të gjitha kutitë e tjera, sot, pas vendimit të Kolegjit që vendosi të numërojë çdo votë të panumëruar që është hedhur gabim në kutitë e tjera, i kthehet tezës së kanibalizmit”, tha përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj.

Sipas saj, “Rama shpalli numërimin e çdo vote në përputhje me Kushtetutën e vendit, si një akt kanibal, dhe kjo vetëm e vetëm se me sa duket votat e numëruara e nxjerrin atë humbës në Bashkinë e Tiranës”.

“Edi Rama duhet të përgjigjet para qytetarëve se përse konsideron kanibalizëm numërimin e votave, kur dihet se kanibalizëm është të mos numërohen votat”, tha Mustafaraj, ndërsa theksoi se “Rama shkon kundër thirrjeve të përsëritura të komunitetit ndërkombëtar për respektimin e vendimeve të institucioneve të pavarura”.