Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 17:21

Tiranë – Ndërkohë që selia e PS-së vazhdon ta cilësojë rezultatin e shpallur nga KQZ për Bashkinë e Tiranës, të pavlefshëm, PD shprehet se “zgjedhjet e 8 majit treguan forcën e demokracisë”.

Në një deklaratë për mediat, kryesuesja e listës së kandidatëve për këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës Jorida Tabaku, tha sot se kreu i PS-së, vazhdoi sërish përpjekjet për të përbaltur procesin zgjedhor.

“Të gjithë qytetarët shqiptarë e dinë se këto zgjedhje ishin të ndershme, të lira, transparente dhe zgjedhjet më të mira që janë bërë në Shqipëri, ku gjithçka u shfaq drejtpërdrejt në ekrane”, theksoi Tabaku.

Duke nënvizuar se Komuniteti Ndërkombëtar i ka vlerësuar këto zgjedhje në mënyrë të përsëritur, përfaqësuesja e PD-së vuri në dukje se “në votim morën pjesë 1 milionë e 600 mijë qytetarë duke bërë që zëri i tyre të dëgjohej, një pjesëmarrje rekord përsa i përket zgjedhjeve lokale”.

Sipas saj, demokracia nuk është në rrezik kur numërohet çdo votë, por nëse nuk dëgjohet zëri i qytetarëve.

Jorida Tabaku shtoi se, “demokracia provohet kur ka një rezultat të ngushtë dhe këto zgjedhje në Tiranë treguan forcën e demokracisë dhe të institucioneve të pavarura, duke ndjekur rrugën e ligjit që mundësoi dëgjimin e zërit të çdo qytetari”.

Ndërsa pak më herët, deputetja e PS-së, Olta Xhaçka deklaroi se, “vendimi i KQZ është i pavlefshëm dhe si i tillë ai është krejtësisht i papranueshëm për opozitën shqiptare dhe PS-në”.

Sipas saj, opozita nuk do ta njohë kurrë këtë vendim i cili nuk buron nga vullneti i zgjedhësve, ndërsa shtoi se Tirana e ka sot një fitues dhe ai është Edi Rama.

Deputetja Xhaçka nënvizoi se “PS do të ndjekë rrugën ligjore për të rrëzuar këtë vendim e bindur në drejtësinë e kauzës së saj përpara së cilës asnjë gjykatë e gjykatës, nuk mund të mbyllë sytë. Pasojat do të ishin shumë të rënda”.