Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 14:46

Tiranë – Një ditë pas 1 Qershorit, Ditës ndërkombëtare të Fëmijëve, Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot në seancë plenare dy instrumentet bazë ligjorë për të drejtat e tyre.

Gjatë seancës së sotme plenare, deputetët ratifikuan Konventën e Këshillit të Evropës “Për statusin juridik të fëmijëve të lindur jashtë martesës”, si dhe Konventën “Për ushtrimin e të drejtave të fëmijëve”.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke përshëndetur miratimin e tyre nga parlamenti shqiptar, i sugjeroi grave deputete që të zhvillojnë fushata sensibilizuese, sidomos në institucionet shkollore, për njohjen e këtyre dokumenteve shumë të rëndësishëm juridikë.

“Do t’ju lutesha si politikane dhe si nëna që jeni, t’i marrim këto konventa e t’i diskutojmë bashkë me fëmijët, me prindërit, me mësuesit, si një instrument në mbrojtjen e të drejtave, edhe të gjithë atyre fëmijëve që braktisen nga prindërit. Fëmijë duhet të dinë se cilat janë të drejtat e tyre, në çdo moment të jetës së tyre, kur i mungon mbrojtja nga familja”, u shpreh kryetarja Topalli sot në Kuvend.

Në seancën e sotme plenare Kuvendi ratifikoi dhe Protokollin e tretë shtesë të Konventës Evropiane “Për ekstradimin”, si dhe marrëveshjen ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Qeverisë së Federatës Ruse për përmbushjen e detyrimeve financiare të Republikës së Shqipërisë kundrejt Federatës Ruse për balancat e llogarive të Korporatës Shtetërore “Banka e Zhvillimit dhe Veprimtarisë Ekonomike me jashtë (VNESHEKONOMBANK)” tek Banka e Shtetit Shqiptar”.

Deputetët miratuan dhe disa rezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të ndryshme, që raportojnë në Kuvend.

Në seancën e sotme mungonin sërish deputetët e opozitës, në shenjë kontestimi ndaj rezultateve të KQZ-së për kryetarin e bashkisë Tiranë, ndërsa ishin prezentë dy deputetët socialistë, Kastriot Islami dhe Andis Harasani.