Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 13:43

Tiranë – Parlamenti i Shqipërisë, i cili nisi punimet paraditen e sotme, pritet të votojë një seri rezolutash dhe projektligjesh, por pa praninë e deputetëve të opozitës, bëjnë të ditur mediat shqiptare.

Me kërkesë të kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, deputetët pritet të kryejnë votimin rreth orës 12: 00. Disa nga projektligjet dhe rezolutat e diskutuara dhe që pritet të votohen në këtë seancë ishin projektligji “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës”, “Për statusin juridik të fëmijëve të lindur jashtë martesës” dhe projektligji “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës, për ushtrimin e të drejtave të fëmijëve”.

Parlamenti shqyrton gjithashtu projektligjiin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Federatës Ruse për përmbushjen e detyrimeve financiare të Republikës së Shqipërisë kundrejt Federatës Ruse”, projektligjin “Për të drejtën ndërkombëtare private”, projektrezolutën për veprimtarinë e institucionit të Avokatit të Prokurimeve për vitin 2010 dhe projektrezolutën për punën e Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2010.