Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 18:22

Tiranë – “Admirojmë arritjet tuaja dhe ju përgëzojmë për ambiciet kombëtare për anëtarësim në BE. Për ne, anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një interes i qartë i vetë Bashkimit Evropian”, tha sot Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, bëri të ditur zyra e shtypit e Kuvendit.

Kryetarja e Kuvendit tha se “Shqipëria e ka ndjerë gjithmonë miqësinë dhe mbështetjen e Hungarisë. Vendi juaj ka përcjellë gjithnjë mesazhe shumë të qarta mbështetjeje ndaj vendit tonë dhe për këtë ju jemi shumë mirënjohës”.

Ajo shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet politike e veçanërisht ato parlamentare mes dy vendeve janë intensifikuar shumë.

Nga ana e tij, Kryeministri Orban shprehu kënaqësinë, që në këtë rikthim pas 10 vitesh në Shqipëri, gjen transformime të jashtëzakonshme dhe investime hungareze shumë aktive.

Duke u ndalur në termat ekonomikë të zhvillimit, Kryetarja e Kuvendit tha se rritja ekonomike prej 5 %, digjitalizimi i procedurave për bizneset, klima e favorshme për investime kanë bërë që Shqipëria të shihet gjithnjë e më shumë si një vend atraktiv jo vetëm për investime, por edhe për turizëm.

Kryetarja e Kuvendit dhe Kryeministri i Hungarisë ndanë mendimin se energjia pozitive e një kombi me popullsi shumë të re si Shqipëria është një vlerë e jashtëzakonshme që të motivon për ecjen përpara.

Kryeministri i Hungarisë shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit për shkëmbimin e ideve dhe eksperiencave, për të bërë të mundur përshpejtimin e hapave të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.