Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 13:22

Tiranë – Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndeti sot, vendimin e Principatës së Andorës për njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Zyra e shtypit e MPJ-së, bëri të ditur se ky vendim vlerëson progresin e bërë në Kosovë, si dhe kontribuon për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit.

“MPJ vlerëson se procesi i njohjeve është i pandalshëm, me ndikim të drejtpërdrejtë në konsolidimin e standardeve demokratike në Kosovë, me forcimin e stabilitetit në rajon.

Sikurse e ka cilësuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pavarësia e Kosovës është në përputhje të plotë me të gjitha ligjet e të Drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën për mediat të kësaj ministrie.