Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 16:58

Tiranë – Ministri Britanik i Shtetit për Evropën, David Lidington do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në vendin tonë, me ftesë të Ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto.

Sipas zyrës së shtypit pranë ambasadës britanike, kjo është vizita e parë e Lidington në Shqipëri, që kur ai u bë Ministër në maj 2010.

Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, ai do të takohet me Presidentin, Kryeministrin, Ministrin e Punëve të Jashtme, dhe kreun e opozitës për të diskutuar mbi gjendjen politike, agjendën e reformave të BE-së, dhe prioritetet e Mbretërisë se Bashkuar për sundimin e ligjit. Lidington do të bëjë gjithashtu një takim të shkurtër me Prokuroren e Përgjithshme.

“Ky është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë. Mbretëria e Bashkuar mbështet fuqimisht dëshirën e Shqipërisë për t’u bashkuar me BE-në. Megjithatë, për të përparuar më tej, është me rëndësi që politikanët dhe institucionet shqiptare të demonstrojnë pjekurinë e tyre demokratike dhe kredencialet evropiane. Unë pres që të diskutoj këtë agjendë me partnerët shqiptarë në Tiranë”, është shprehur Lidington, para vizitës së tij në vendin tonë.