Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 13:52

Tiranë – Regjistrimi i pallateve të reja pritet të zgjidhet me anë të një ligji të veçantë. Sipas burimeve nga Shoqata e Ndërtuesve, po punohet për hartimin e një ligji dhe shumë shpejt pritet që drafti të jetë gati.

Janë rreth 400 pallate të ndërtuara vitet e fundit, që kanë kaluar procesin e legalizimit dhe presin të regjistrohen, por për një pjesë të madhe të tyre pengesë është bërë një urdhër i Tatimeve, që pengon regjistrimin deri në momentin kur firmat përkatëse të kenë shlyer detyrimet tatimore.

Sipas Shoqatës së Ndërtuesve, ky urdhër është bllokues dhe i paarsyeshëm, sepse përfshin edhe detyrime të tjera, që nuk lidhen me objektin për regjistrim, madje një pjesë e mirë e këtyre detyrimeve kanë lindur në periudha të mëvonshme.

Ndërtuesit propozuan fillimisht që regjistrimi i pallateve të reja të përfshihej në ligjin e faljes, por kjo kërkesë nuk u pranua nga Ministria e Financave. Sipas Shoqatës së Ndërtuesve janë rreth 50 milion euro detyrime fiskale që do të mblidhen nga regjistrimi i këtyre ndërtimeve.

Nëse zgjidhet nyja në fjalë, Shoqata parashikon që procesi i regjistrimit të jetë i shpejtë dhe të përfundojë brenda këtij viti për të gjithë ndërtimet e përfshira në të. Mijëra familje presin ende të marrin çertifikatën e pronësisë, ndonëse i kanë blerë apartamentet e tyre prej vitesh.