Lajme Shqip Thursday, 23 June 2011 14:55

Tiranë – Kuvendi i Shqipërisë mbajti sot një minutë heshtje në nderim të viktimave të genocidit grek, të ushtruar ndaj popullsisë shqiptare çame.

Nderimi u bë pas propozimit të deputetit Shpëtim Idrizi, kryetar i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Deputeti Idrizi, përfaqësues i interesave të komunitetit çam, në fjalën e mbajtur me këtë rast në parlament, duke përkujtuar viktimat e kësaj ngjarjeje të rëndë, ftoi deputetët të bëhen pjesë e pelegrinazhit të përvitshëm që komuniteti çam organizon në Qafë-Botë, në homazh të jetëve të humbura.

Idrizi, ndërsa theksoi se për çështjen çame nuk duhet heshtur, por duhet vepruar, apeloi për miratimin nga parlamenti të një rezolute dinjitoze. “Kjo do të ishte mënyra më e mirë për të përkujtuar masakrën që ndodhi ndaj komunitetit çam dhe një mënyrë për t’ia lehtësuar atij dhimbjet”, tha ai.

Ai gjithashtu kërkoi nga diplomacia shqiptare që të veprojë për zgjidhjen e kësaj çështjejë, pasi, siç u shpreh deputeti i PDIU-së, “shqiptarët sot nuk janë ata të vitit 1945 dhe as ata të vitit 1997, kur shteti shqiptar ishte i dobët dhe u kap nga anarkia”.

“Shqipëria sot është shtet anëtar i NATO-s, që ka ratifikuar shumë konventa për të drejtat e njeriut dhe rrugët europiane të vendosjes së kësaj drejtësie janë të hapura. Ne duhet të mos harrojmë se Shqipëria ka bërë shumë, se ajo është një fqinj i mirë në Ballkan, por ajo nuk duhet të tolerojë vazhdimisht në emër të objektivave të integrimit”, u shpreh Idrizi.