Lajme Shqip Friday, 17 June 2011 17:04

Tiranë – Përmes një letre drejtuar përfaqësueses së përhershmë të Shqipërisë pranë këshillit të Evropës, Margarita Gega, sekretari i përgjithshëm i këtij organizmi Thorbjorn Jagland nënvizoi si shumë të rëndësishëm respektimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, në mënyrë të veçantë të Kolegjit Zgjedhor për procedurat e apelimit në vijim. Ndërkohë, sekretari i përgjitshëm i Këshillit të Evropës konfirmon edhe një herë synimin e tij për t’iu drejtuar Komisonit të Venecias lidhur me çështjen e votave të rregullta, por që aksidentalisht nuk u hodhën nga zgjedhësit në kutinë respektive, si rekomandim që mund të përdoret jo për këto zgjedhje, por për ato që do të vijnë. Krahasur me letrën e mëparshme, drejtuar kryeministrit Berisha, zoti Jagland duket se e sheh jo më aq të zymtë situatën në Shqipëri për shkak të dëshmimit të funksionimit të sistemit zgjedhor deri në shkallën e tij përfundimtare të kolegjit zgjedhor. Më parë sekretari i përgjithshëm i KiE, i konsideroi mosmarrëveshjet për garën e Tiranës si kërcënim për funksioinmin e insitucioneve demokratike, qeverisjen e mirë deri tek progresi ekonomik i mëtejshëm. Ajo që nuk ka ndryshuar nga zoti Jagland është apeli i forcave politike që të ulen në bisedime për t’i dhënë fund ngërçit politik në Shqipëri, ndërsa atë që nuk e ndërmori opozita, për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias po e merr përsipër vetë sekretari i përgjithshëm i këshillit të Evropës Jagland.

I dashur Kryeministër

Po ju shkruaj per t’ju shprehur shqetësimin tim lidhur me situatwn që pasoi zgjedhjet e fundit vendore në vendin tuaj, dhe në mënyrë të veçantë debatin lidhur me zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Shumë kishin shpresuar se këto zgjedhje do të vendosnin një standart të ri, kur bëhet fjalë për qëndrimin ndaj vetë votës, si edhe lidhur me qëndrimin dhe përgjegjësitë e forcave politike dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Këto shpresa u riforcuan nga votimi i qetë dhe i rregullt gjatë ditës së votimit. Por, është për të ardhur keq, se për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Shqipëria tani po ballafaqohet me një situate, e cila i ka përkeqësuar ndasitë politike dhe mund të kërcënojë përpjekjet për të siguruar funksionimin e duhur të institucioneve demokratike, qeverisjes së mirë dhe progresit të mëtejshëm ekonomik. Si një mik i Shqipërisë unë jam i shqetësuar.

Unë dëshiroj që t’ju bëj apel, në termat më të forta të mundshme, ju zoti Kryeministër dhe të gjithë liderëve të forcave të tjera politike në vendin tuaj, që të filloni menjëhere një dialog të vërtetë lidhur me mënyrat sesi të kapërcehet ngërçi politik, duke respektuar shtetin ligjor dhe parimet demokratike, çka pritet nga secili vend anëtar i Këshillit të Europës.