Lajme Shqip Sunday, 19 June 2011 07:09

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vijuar deri në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës procesin e numërimit dhe të rivlerësimit për votat e kontestuara për KZAZ-në nr 45.

Deri tani, kandidati i mazhorancës për kryetar Bashkie, Lulzim Basha, kryeson me 22 vota, ndërsa ai i opozitës, Edi Rama, ka marrë 21 vota. Ndërsa, në total kandidati Basha është në avantazh me 82 vota.

Në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor të 13 Qershorit, KQZ do të kryejë rivlerësimin për votat e konstestuara për 368 qendra votimi në kryeqytet.

Për këtë arsye, janë ngritur 8 grupe pune të cilët vijuan normalisht procesin, duke hapur nga 4 kuti, respektivisht të së njëjtës Qendër Votimi, atë për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe Këshillin e Njësise Bashkiake.

KQZ do të kryejë procesin e numërimit dhe të rivlerësimit të fletëve të votimit të kontestuara për 1793 kuti nga 1940 dhe në përfundim do të miratojë tabelën përfundimtare dhe mbi bazën e tyre do të hartojë tabelën përmbledhëse të rezultatit të votimit për Bashkinë e Tiranës.