Lajme Shqip Saturday, 04 June 2011 12:53

Tiranë – Policia e Tiranës arrestoi mbrëmjen e djeshme punonjësin e Tatim Taksave në Policinë Bashkiake të kryeqytetit, Agron Doçi, i akuzuar për “korrupsion pasiv për shkak të detyrës”.

Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur të shtunën se 36-vjeçari Doçi akuzohet  se në këmbim të lejimit të aktivitetit privat, pa u pajisur me dokumentet përkatëse, për arsye përfitimi u kërkonte shuma të ndryshme parash bizneseve private.

Nga të njëjtat burime mësohet sot se, pas një hetimi për disa muaj, SHKB në bashkëpunim me blutë e Tiranës, bëri të mundur arrestimin e 40-vjeçarit Bekim Alla, i cili akuzohet se për arsye përfitimi, duke përdorur identitet të rremë,  prezentohej si Shef i Krimeve të Rënda apo Shef i Krimit Ekonomik Financiar, duke mashtruar qytetarët në këmbim të privilegjeve të ndryshme.

Policia zbardhi të premten edhe ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë, në një nga firmat e ndërtimit në kryeqytetet, ndërsa  arrestoi dy adoleshentë dhe shpalli në kërkim 23-vjeçarin Marildo Mera, të dyshuar si autorë të dyshuar të vjedhjes së 45 mijë eurove në kasafortën e zyrës së  firmës së ndërtimit “Vllaznia” në Tiranë, në pronësi të një shtetasi.

Dy adoleshentët si dhe 23-vjeçari Mera, akuzohen se pasi kanë grabitur kasafortën e firmës së ndërtimit, e kanë transportuar atë  me makinë dhe pasi kanë marrë shumën e parave që ndodhej në kasafortë, e kanë braktisur në afërsi të Babrrusë në Tiranë.

Nga hetimet paraprake, këta shtetas dyshohen si autorë vjedhjesh të tjera në kryeqytet, të realizuara përmes thyerjes dhe dhunës.

Materialet hetimore në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.