Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 16:45

Tiranë – Kolegji Zgjedhor u tërhoq të hënën pasdite për të marrë vendim lidhur me kërkesën ankimore të paraqitur nga Partia Socialiste për kryetarin e bashkisë Tiranë.

Gjatë seancës së sotme, pas administrimit të provave të mbledhura nga të gjitha palët, trupa gjyqësore pritet të japë një vendim rreth orës 19:30.

Kolegji Zgjedhor nisi paraditen e sotme (ora 10:00) shqyrtimin e kërkesës ankimore të PS-së për zgjedhjet lokale të 8 majit, për kryetarin e bashkisë Tiranë.

Pas rrëzimit të dy ankimimeve të para, në seancën e sotme socialistët kërkonin gjykimin në themel të çështjes që lidhet me fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara. Përfaqësuesi i PS-së në Kolegj, deputeti Damian Gjiknuri, tha se PS kërkon pavlefshmëri të dy vendimeve të KQZ-së, nr. 710 dhe 711, të cilat sipas tij, janë miratuar në kundërshtim me ligjin, pasi rezultati i shpallur prej tyre ka ndryshuar të gjitha tabelat e KZAZ-ve të depozituara në KQZ.

PS ankimon dhe faktin se në fund të procesit të rinumërimit dhe ndryshimit të tabelave, rezultojnë 357 fletë votimi më shumë se sa votues, ndërkohë që edhe konsiderimi si të vlefshme i fletëve të hedhura në kutitë e gabuara bie në kundërshtim me përcaktimet e Kodit Zgjedhor.

Gjatë seancës së sotme drejtoresha juridike e KQZ-së, Dëshira Pasko, mbrojti vendimin e miratuar nga KQZ për numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara, duke e cilësuar ‘një vendim të drejtë’.

Ajo hodhi poshtë si të pabaza pretendimet e PS-së për mospërputhje votash, duke i kërkuar trupës së Kolegjit  rrëzimin e kërkesës së socialistëve, një qëndrim që iu bashkuan edhe përfaqësuesit e PD-së.