Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 14:19

Tiranë – Trupa e Kolegjit Zgjedhor, që po shqyrton sot kërkesën ankimore të Partisë Socialiste për kryetarin e bashkisë Tiranë, është tërhequr për një pushim të shkurtër, para marrjes së vendimit përfundimtar.

Seanca gjyqësore, që drejtohet nga gjyqtarja, Dhurata Haveri ka nisur paraditen e sotme, shqyrtimin e kërkesë padisë së depozituar nga PS, që kërkon rrëzimin e vendimeve nr. 710 dhe 711 të KQZ-së, të cilat nxorën fitues me 81 vota më shumë kandidatin demokrat, Lulzim Basha kundrejt kandidatit socialist, Edi Rama.

Përfaqësuesi i PS-së në Kolegj, deputeti Damian Gjiknuri tha se, PS kërkon pavlefshmëri të dy vendimeve të KQZ-së, të cilat sipas tij, janë miratuar në kundërshtim me ligjin, pasi rezultati i shpallur prej tyre ka ndryshuar të gjitha tabelat e KZAZ të depozituara në KQZ.

PS ankon dhe faktin se në fund të procesit të rinumërimit dhe ndryshimit të tabelave, rezultojnë 357 fletë votimi më shumë se sa votues, ndërkohë që edhe konsiderimi si të vlefshme i fletëve të hedhura në kutitë e gabuara bie në kundërshtim me përcaktimet e Kodit Zgjedhor.