Lajme Shqip Saturday, 18 June 2011 18:49

Tiranë – Studentë të Fakultetit të Edukimit në Gjakovë, pjesë e Universitetit të Prishtinës, gjatë një takimi me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, i dorëzuan asaj Diplomën e Mirënjohjes, ku vlerësojnë kontributin e saj për çështjen shqiptare në përgjithësi, si dhe njohjes së Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare në veçanti.

Duke falenderuar studentët kosovarë për këtë dhuratë, Kryetarja e Kuvendit i ftoi ata ta konsiderojnë parlamentin shqiptar si shtëpinë e tyre.

Studentët nga Gjakova i shpjeguan Topallit se ardhja e tyre në Shqipëri, kësaj here ka të bëjë me njohjen nga afër të qyteteve me vlera të rralla historike të Shqipërisë si Berati, Kruja, Shkodra, Durrësi, Lezha apo Apollonia e Butrinti.

“Jam shumë e lumtur që të rinj si ju kanë interes për historinë mijëvjeçare të qyteteve tona”, tha Kryetarja e Kuvendit, duke shtuar se “ne jemi shumë krenarë për rrënjët e thella historike të kombit tonë dhe më vjen mirë, që jo vetëm ju, por turistë nga e gjithë bota po i njohin gjithnjë e më shumë këto vlera të jashtëzakonshme.”

Më pas të rinjtë nga Gjakova vizituan mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, sallat e komisionet, duke u njohur me detaje të punës së deputetëve dhe administratës parlamentare.