Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 14:49

Tiranë – Shoqata “Guri për paqe” dhuroi për Shqipërinë gurin origjinal nga Hiroshima e Japonisë, duke e shtuar vendin tonë në 108 shtetet që e kanë atë në shenjë paqeje.

Ceremoninë e dhurimit të “Gurit të Paqes” u zhvillua paraditen e sotme në Atriumin e Muzeut Historik Kombëtar, ku do vendoset ky gur, në praninë të Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryeministrit të Hungarisë,Viktor Orban.

Kryetari i Shoqatës “Guri për Paqe”,Michico Umemoto, gjatë ceremonisë tha se lidhjet mes vendeve që kanë gurin e paqes do të zgjerohen edhe më tej. “Gjatë gdhendjes së figurave të zotëve budiste në gur njerëzit e Hiroshimës menduan se do të ishte për të mirën e njerëzimit që çdo kryetar shteti të posedonte këtë gur si një lutje për paqe në botë”, tha Umemoto.

Ky gur ka qenë pjesë e një rruge në Hiroshima, afër qendrës së shpërthimit të bombës së parë atomike në 6 gusht 1945.

Umemoto e cilësoi “Gurin e Paqes” si një dëshmi e pavdekshme e tragjedisë së vitit 1945, që i mori jetën rreth 100 mijë personave në Hiroshima dhe që do t’u tregojë njerëzve të këtyre shteteve se sa e shtrenjtë është paqja. “Shpresojmë vërtetë që fëmijët tanë do të jetojnë në një botë pa luftë, vrasje dhe urrejtje”, tha Michico Umemoto.

Në ceremoninë, ku të ftuar ishin përfaqësues të trupit diplomatik, artistë etj, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi, tha se shoqata ka si mision ruajtjen e paqes, në kuadër të së cilës i dhuron gurin edhe Shqipërisë. “Kjo shoqatë e nderuar dhuron sot ‘Gurin e Paqes’ me bindje të plotë se populli shqiptar do të ndajë me ta dëshirën për një botë pa luftë”, tha Malltezi.

Shoqata “Guri për Paqe” u krijua në vitin 1991 me synim ndërgjegjësimin e njerëzve në mbarë botën për t’i kushtuar më shumë vëmendjen paqes dhe jetesës në paqe. Gurët ishin të shtruara nëpër rrugët e Hiroshimës kur bomba atomike u hodh mbi të në gusht 1945.

Më pas, kur u provua se gurët nuk kanë radioaktivitet të dëmshëm për njerëzit, rreth 10.000 qytetarë u mblodhën dhe pasi gdhenden në gur një imazh të Perëndeshës së Mëshirës, krahas fjalëve “Nga Hiroshima” vunë dhe fjalë lutjeje për paqe.

Njerëzit mendonin se posedimi i gurit do të mund të zgjerojë lidhjet në të gjithë botën, duke treguar një dëshirë të patundur për paqe. Guri i parë për Paqe iu dhuruar po atë vit ish- Presidentit Alberto Fujimori të Perusë dhe atë e kanë pranuar vendet si, Rumani, Portugalia, Norvegjia, Bullgaria, Spanja, Hungaria, Finlanda, Italia, Danimarka, Britania, Austria, Gjermani, Polonia, Irlanda, Belgjika, Çekia, Luksemburgu. Lihtenshtein, Monako, Greqia, Sllovakia, Islanda, Bjellorusia etj. “Guri i paqes” nuk ka shkuar ende në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.