Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 11:01

Tiranë – Zv/ kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, mori pjesë dje, në takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut (A5), që u zhvillua në Budva, Mali i Zi, ku ishin të pranishëm Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare.

Në takim mori pjesë për herë të parë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Anders Fogh Rasmussen. Ndërsa i pranishëm ishte edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, si dhe përfaqësues të SHBA-së dhe Sllovenisë.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se diskutimet në takim u përqëndruan mbi integrimin Euro-Atlantik të Evropës Juglindore si edhe kontributin e vendeve të A5 në operacionin e NATO-s në Afganistan.

Duke përshëndetur arritjet e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë- Hercegovinës në rrugën drejt anëtarësimit në Aleancë, ministri Haxhinasto shprehu keqardhjen që Serbia nuk iu përgjigj ftesës për të marrë pjesë në këtë takim. Po ashtu, Haxhinasto shprehu kënaqësinë që në takim ishte i pranishëm përfaqësuesi i Kosovës, duke përcjellë një mesazh të qartë të angazhimit të Kosovës për t’ju bashkuar kësaj iniciative. Shqipëria, tha ministri Haxhinasto,mbështet vendet e rajonit për t’u bërë pjesë e Aleancës në një kohë sa më të afërt.

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme shprehu angazhimin e Shqipërisë për të vazhduar kontributin në Afganistan, duke iu bashkuar edhe iniciatives mbi Shkollën e Policise në Kabul.

Gjithashtu, theksoi ai, Shqipëria do të shtojë numrin e trupave në Afganistan, si një shprehje tjetër e angazhimit të vendit tonë në drejtim të paqes globale.

Në përfundim të takimit vendet anëtare të Kartës së Adriatikut miratuan një Deklaratë të Përbashkët, ku vlerësojnë rolin e rëndësishëm që Karta e Adriatikut luan në nxitjen e bashkëpunimit rajonal, si dhe konfirmuan angazhimin që vendet e A-5 të punojnë së bashku për integrimin Euro-Atlantik të të gjithë vendeve të Evropës Juglindore.