Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 14:20

Tiranë – Gjykata e Lartë ka shtyrë për datën 11 korrik seancën e radhës për çështjen ndaj ish-zv/kryeministrit, Ilir Meta.

Në seancën e zhvilluar sot, Gjykata e Lartë u njoh me kërkesat e Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me çështjen penale të ngritur ndaj ish-zv/kryeministrit Meta.

Prokurori i çështjes, Bujar Sheshi, kërkoi zhvillimin e procesit gjyqësor ndaj Metës, duke kërkuar nga Gjykata e Lartë t’i rrëzojë si të pabaza kërkesat e avokatëve të Metës për pavlefshmëri të hetimeve.

Sikurse deklaroi prokurori Sheshi, hetimet ndaj Metës janë të vlefshme. Sipas tij, hetimet kanë nisur pas konstatimit të autenticitetit të video-përgjimit ndaj tij.

Një seancë më parë, Petrit Serjani, përfaqësues ligjor i Metës, kërkoi që të shpallen të pavlefshme hetimet e prokurorisë ndaj zotit Meta me pretendimin se janë të kundraligjshme.

Avokati Serjani, listoi një sërë shkeljesh që sipas tij,  ishin kryer nga prokuroria, ndër të cilat, zhvillimin e hetimeve ndaj Metës në kohën, kur ai ishte me imunitet si deputet në Kuvendin e Shqipërisë. “Hetimet ndaj Metës janë realizuar pa u marrë më parë autorizimi i Kuvendit”, tha avokati, duke kërkuar pushimin e çështjes.

Avokati Serjani kërkoi papërdorshmërinë e videos Meta -Prifti, me argumentimin se është siguruar në rrugë të kundraligjshme, ndërsa i konsideroi si  të papërdorshme deklarimet e ish- ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, si autori i videos kundër zotit Meta.

Me dëgjimin e palëve, Gjykata e Lartë u tërhoq për vendim, të cilin pritet ta shpallë në 11 korrik 2011.

Ish- zv/kryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën për korrupsion nga Prokuroria e Përgjithshme, pas publikimit në media pak muaj më parë të një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë kundër tij, ku ai shfaqej me ish- ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisede për disa tendera të ministrisë së Ekonomisë. Vetë zoti Meta e ka cilësuar videon si një manipulim dhe shantazh ndaj tij.