Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 16:42

Tiranë – Biznesmeni kosovar, Aziz Kelmendi, i akuzuar për “vrasje nga pakujdesia” të këngëtares Elsina Hidershaj, e njohur me emrin “Emmy”, do të procedohet me gjyq të shkurtuar.

Gjatë një seance të zhvilluar sot, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e 47 – vjeçarit Kelmendi për t’u proceduar me gjyq të shkurtuar. Ndërkohë që nga procedimi në këtë mënyrë, ai do të përfitojë uljen me një të tretën e masës së dënimit nëse shpallet fajtor. Duke folur në seancë, i pandehuri Kelmendi deklaroi se vdekja e 21 – vjeçares Hidersha ishte aksidentale.

Biznesmeni Aziz Kelmendi akuzohet për ngjarjen e ndodhur më 27 shkurt të këtij viti pranë një lokali nate në Tiranë, kur, me makinën e tij, ka aksidentuar 21 – vjeçaren Hidershaj, me të cilën kishte njohje.

Këngëtarja “Emmy” humbi jetën në spital një ditë pas aksidentit, ndërsa forcat e policisë së Tiranës, morën masën e arrestit ndaj 47 – vjeçarit Kelmendi.