Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 13:32

Tiranë – Nobelistit shqiptaro-amerikan, Ferid Murati iu dorëzua sot, në Tiranë, medalja “Nderi i Akademisë”, nga Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, për kontributin e tij në shkencën e mjeksisë dhe për nivelet e larta që ka arritur.

Studiuesi i mjekësisë, në takimin zyrtar në Akademinë e Shkencave tha se, për të është gjithmonë emocionuese që të kthehet dhe të vizitojë vendin e tij, pasi 50 % e gjakut të tij është nga Shqipëria.

“Jam i lumtur dhe krenar për këtë medalje. Kam marrë shumë medalje nga të gjitha vendet e botës, por të gjithë kanë për ta vënë re këtë medalje në raftin tim, pasi ajo është më e madhja”, tha Murati.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Beqiraj e cilësoi dorëzimin e medaljes nobelistit, Muati, si një ngjarje të madhe për Akademinë, për një personalitet që ka arritur nivele të larta dhe është pjesë e shqiptarëve.

Nobelisti për mjekësinë vjen në Shqipëri për herë të dytë, pas vizitës së 12 viteve më parë. Ferid Murat, i njohur për shpikjen e Viagrës lindi më 14 shtator të vitit 1936, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mban titullin Doctor Honoris Causa të Universitetit të Evropës Juglindore dhe të Universitetit të Tiranës.