Lajme Shqip Friday, 24 June 2011 13:16

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti sot drejtues të Federatës Pan-Shqiptare në SHBA “Vatra”, kryetarin e saj, Gjon Buçaj, editorin e gazetës ‘Dielli’, Dalip Greca, si dhe anëtarin e këshillit të kësaj shoqate, Bashkim Musabelliu.

Përgatitjet e festimeve për celebrimin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ishin tema kryesore e bisedimeve, ku kryetarja Topalli i njohu përfaqësuesit e shoqatës me përgatitjet që Kuvendi ka nisur. Me këtë rast është ngritur një grup i posaçëm pune që do të evidentojë projektet më të mira për ta festuar këtë ditë në mënyrën më dinjitoze.

Kryetari Buçaj, duke theksuar se ky kremtim historik përkon edhe me 100-vjetorin e themelimit të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, shprehu dëshirën që edhe kjo organizatë të bëhet pjesë e aktiviteteve që do të organizohen me këtë rast.

Duke vlerësuar këtë iniciativë, kryeparlamentarja ftoi përfaqësuesit e “Vatrës” që të bashkëpunojnë me Kuvendin për të bërë të mundur ekspozimin e dokumenteve autentike dhe origjinale të themelimit të kësaj shoqate.

“Me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë do të fillojë të ndërtohet një Parlamenti i ri, si një simbolikë e veçantë për të konsoliduar të gjitha përpjekjet për themelimin e demokracisë në vend. Shqipërisë, i takon të ketë një tempull dinjitoz të demokracisë”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

Ajo tha se si pjesë e celebrimit të kësaj dite, Kuvendi ka nisur gjithashtu punën duke skanuar të gjitha bisedimet parlamentare që nga viti 1912, duke mundësuar kështu një kolanë të plotë botimesh me të gjitha fjalimet, si dhe me figurat e shquara që kanë qenë firmëtarë të aktit të shpalljes së pavarësisë, por që emrat e tyre ishin fshirë gjatë periudhës së regjimit komunist.