Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 12:17

Tiranë – Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi Raportin Vjetor për Trafikimin e Njerëzve për vitin 2011. Në raport përfshihen 180 vende dhe në të vlerësohet puna që bëjnë qeveritë e këtyre vendeve në përpjekje për të luftuar trafikimin e njerëzve.

Në Raportin për Shqipërinë thuhet se Shqipëria i ka shtuar përpjekjet për zbatimin e ligjeve kundër trafikut në vitin 2010 dhe ka përmirësuar përpjekjet për identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave.

Në raport thuhet se viktimat e Shqipërisë së trafikimit ndahen në dy grupe, ato që detyrohen të bëjnë punë të detyruar dhe për shfrytëzim seksual brenda Shqipërisë, por edhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë dhe Evropën Perëndimore.

Në raport thuhet se qeveria shqiptare po bën përpjekje të rëndësishme në luftën kundër trafikimit. Qeveria shqiptare, thuhet në raport, “ka marrë disa hapa konkrete për përmirësimin e strategjisë kundër trafikimit njerëzor në tërësi”.

Mes rekomandimeve për Shqipërinë, në Raportin e Departamentit të Shtetit për Trafikimin e Njerëzve, thuhet se vendi duhet të vazhdojë të përmirësojë zbatimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit, duke bërë të mundur që të ndiqen penalisht punonjësit e zbatimit të ligjit, që bashkëpunojnë në trafikimin e njerëzve, të hetojë dhe nxjerrë para drejtësisë autorët e trafikimit dhe të ndihmojë në funksionimin e strukturave kundër trafikut.