Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 13:22

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se “në këtë vit akademik do të ketë rritje të kuotave të pranimit në universitetet shqiptare”, ndërsa nënvizoi se “arsimi po i përshtatet më së miri misionit, Shqipëria vend i zhvilluar”.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Berisha tha se rritja e kuotave për universitetet ka për qëllim që çdo të riu t’i jepet mundësia të diplomohet në universitetet e vendit.

“Në këtë vit akademik janë parashikuar 1600 kuota më shumë se vitin e kaluar, të cilat në tërësi do të funksionojnë në 192 degë dhe profile, e cila përbën një përshtatje të vazhdueshme të arsimit tonë universitar me kërkesat e tregut”, tha Kreu i Ekzekutivit.

Ai vuri në dukje se aspekti më i rëndësishëm i këtyre pranimeve qëndon në faktin se 1/3 e tyre janë të orientuara në teknologjinë e informacionit, shkencat inxhinierike dhe ato të natyrës.

Duke bërë të ditur se vetëm në inxhinierinë e informacionit nisin studimet në këtë vit të ri akademik 4500 studentë, Berisha theksoi se rritje të ndjeshme ka edhe në kuotat për gjuhët e huaj, veçanërisht për anglishten.

“Arsimi i lartë po i përgjigjet në këtë mënyrë, kërkesave të mëdha në rritje për orientimet themelore të zhvillimit të vendit, pasi kemi përcaktuar se një nga drejtimet themelore të kësaj qeverie është Shqipëria dixhitale, e cila do t’u ofrojë qytetarëve shërbimet më moderne, më të lira dhe më të mira”, nënvizoi shefi i qeverisë.

Ai vlerësoi se pranimi i 4500 studentëve në këtë fushë përbën një risi shumë pozitive.

“Rritja e kuotave në degë të inxhinierisë dhe ato të natyrës është pozitive pasi revolucioni industrial që po zhvillohet dhe po ecën pa ndërprerje, kërkon specialistë në të gjitha fushat e këtij revolucioni”, tha Kryeministri.

Kreu i Qeverisë vlerësoi se arsimi i lartë ka bërë progres në këto vit dhe për këtë meritë të veçantë kanë stafet pedagogjike akademike të universiteteve në Shqipëri, të cilët po e transformojnë gjithnjë e më shumë këtë sistem në interesin më të mirë kombëtar.

“Ne duhet të ndërmarrim një kthesë vendimtare në drejtim të cilësisë, pasi lufta dhe përpjekja për cilësinë e stafeve tona akademike në universitetet publike dhe private, është përcaktuese për suksesin e arsimit të lartë”, nënvizoi kryeministri.

Gjithashtu Kryeministri Berisha vuri në dukje se vëmëndje të veçantë i duhen dhënë shkencave themelore, fizikës dhe matematikës, ndërsa shkolla jonë duhet të bazohet në gjuhë dhe matematike.

Rritje të kuotave në këtë vit akademik do të ketë edhe për studentë nga Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës si dhe nga shqiptarët e Maqedonisë dhe të Kosovës, tha Berisha, ndërsa shtoi se nuk do të ketë rritje të tarifave, përveç inflacionit.

Kryeministri tha se “kuota janë parashikuar edhe për romët dhe egjyptianët me një procedurë më të thjeshtuar si dhe për të verbërit dhe për personat e tjerë me aftësi të kufizuar”.