Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 16:14

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha shprehu të enjten, mirënjohjen më të thellë për ndihmën dhe mbështetjen e çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë amerikane ndaj Shqipërisë e kombit shqiptar.

Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha priti në një takim Guvernatorin Haward Dean, i cili ka shërbyer për 6 mandate si guvernator i shtetit Vermont dhe në vitin 2004 garoi për t’u përzgjedhur kandidat për President i Partisë Demokratike në SHBA. Në vitet 2005 – 2009, Guvernatori Haward Dean ka shërbyer si kryetar i Komitetit Kombëtar Demokratik të Partisë Demokratike Amerikane.

Gjatë takimit, Berisha vlerësoi veçanërisht marrëdhënien e ngushtë e të shkëlqyer të miqësisë e bashkëpunimit midis Partisë Demokratike dhe Institutit Kombëtar Demokrat Amerikan.

Kryeministri Berisha informoi mbi arritjet e Shqipërisë gjatë këtyre viteve të fundit, duke veçuar ndërtimin dhe modernizimin e rrjetit infrastrukturor në të gjithë vendin, si dhe digjitalizimin, shkurtimin, lehtësimin dhe modernizimin e të gjitha procedurave administrative e përfshirjen e tyre në sistemet one stop shop.

Kjo, sipas tij, “ka sjellë një rezultat të jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit, rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit, lehtësimin e jetës së qytetarëve, krijimin e kushteve më të favorshme për biznes e investime në vend, si dhe zhvillimin e vrullshëm të ekonomisë”.

Kryeministri u ndal edhe në arritjet e rëndësishme në fushën e ICT dhe Shqipëria në moshën digjitale, në fushën e arsimit, rritjen e jashtëzakonshme të turizmit, etj.

Nga ana e tij, Guvernatori Dean vlerësoi transformimet dhe ndryshimin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka përjetuar gjatë kësaj periudhe. “Udhëtuam nga Prishtina për në Tiranë përmes rrugës Durrës – Kukës – Morinë, e cila është një vepër e jashtëzakonshme”, u shpreh Guvernatori Dean, duke shprehur vlerësimin më të lartë për realizimin e këtij projekti, i cili, sipas tij, “ka vlerë jo vetëm për kombin shqiptar, por do të shërbejë si një faktor shumë i rëndësishëm edhe për zhvillimin e mbarë rajonit”.

Guvernatori Dean nënvizoi veçanërisht faktin se në periudhën më të vështirë të krizës ekonomike globale, Shqipëria ishte një ndër vendet e pakta në botë që shënoi rritje pozitive ekonomike.

Në takim u vlerësua, gjithashtu, liberalizimi i vizave me BE-në dhe ecja përpara me shpejtësi në projektin madhor kombëtar të integrimit në BE. Gjithashtu u theksua rëndësia që ka si për Shqipërinë, për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për Evropën, anëtarësimi i plotë i Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Guvernatori Dean u shpreh se përpjekjet e qeverisë dhe popullit shqiptar për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE do të vazhdojnë të gëzojnë mbështetje, inkurajim dhe ndihmën e të gjithë miqve të Shqipërisë dhe të rajonit, si në Evropë, ashtu dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke u ndalur në zhvillimet e fundit në rajon, bashkëbiseduesit pohuan se integrimi sa më i shpejtë i të gjitha vendeve të rajonit në BE është dhe mbetet rruga më e mirë për të ardhmen e këtyre vendeve dhe popujve të tyre.