Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 14:58

Tiranë -Presidenti Bamir Topi priti sot Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve “Dukla” të Malit të Zi, Prof. Bozhidar Nikoliç dhe delagacionin që e shoqëron.

Zyra e shtypit e presidencës bëri të ditur se gjatë këtij takimi, kreu i shtetit e njohu prof. Nikoliç me përpjekjet dhe arritjet e Shqipërisë në të gjitha fushat, veçanërisht ecurinë e zhvillimet e shkencës shqiptare e të përfaqësuesve të saj gjatë viteve të fundit, si dhe të institucionit të rëndësishëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Duke vlerësuar si të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve tona fqinje, Topi shprehu mbështetjen e plotë institucionale dhe personale për organizimin e realizimin e projekteve dhe konferencave të përbashkëta, me synim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të frytshëm akademik e shkencor.

Gjithashtu, Presidenti nënvizoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave të ndërsjella në përgatitjen e kualifikuar shkencore dhe të kërkimit shkencor ndërmjet Akademive tona, duke u nisur edhe nga ekosistemi i njëjtë, që ndajnë dy vendet tona, siç janë Liqeni i Shkodrës, lumi Buna dhe i gjithë pellgu ujëmbledhës apo edhe historia e kultura e përbashkët e rajonit ballkanik.

Nga ana e tij, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve “Dukla” të Malit të Zi, Prof. Bozhidar Nikoliç, e njohu Presidentin Topi me ecurinë e deritanishme të Akademisë që ai drejton, e cila është themeluar në vitin 1999, të kërkimit studimor shkencor malazez, por edhe me veprimtari të tjera historike, kulturore dhe akademike.

Gjithashtu, Prof. Nikoliç, vlerësoi lart bashkëpunimin e deritanishëm mes akademive tona, të përforcuar edhe nga marrëveshjet e hershme dypalëshe.

Ai nënvizoi edhe rëndësinë e rritjes dhe thellimit të mëtejshëm të shkëmbimit të përvojave edhe në fushën shkencore e kulturore mes universiteteve dhe akademikëve të dy vendeve tona.

Në përfundim, Prof. Bozhidar Nikoliç i dhuroi Kreut të Shtetit një libër me poezi shqiptare të përkthyera mjeshtërisht në gjuhën malazeze.