Lajme Shqip Sunday, 12 June 2011 11:18

Tiranë – Në festën që do të organizohet në hotel “Sheraton” në Tiranë, me rastin e 20 – vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, mësohet se do të jenë 800 të ftuar. Të ftuar janë jo vetëm drejtuesit socialistë ne Tiranë dhe ne rrethe, por edhe të ftuar nga trupi-diplomatik, komunitetet fetare dhe aleatët e Partisë Socialiste, transmetojnë mediat shqiptare.

Pritet që gjatë ceremonisë, Edi Rama në fjalën përshëndetëse të dërgoj një mesazh duke evidentuar arritjet e kësaj force politike gjatë këtyre 20 viteve, dhe duke vënë theksin tek besimi që i është dhënë socialistëve, gjatë zgjedhjeve lokale. Sikurse edhe në përvjetorët e mëparshëm pritet, që Rama t’u drejtojë socialistëve një mesazh bashkimi dhe solidariteti mes tyre. Në listë nuk është emri i ish-kryetarit të PS-së Fatos Nano, dhe as ai i Ilir Metës e Sali Berishës.

Ceremonia e 20-vjetorit të partisë opozitare më të madhe në Shqipëri, zhvillohet në një moment kritik për këtë forcë politike, pas një beteje të gjatë dhe intensive në denoncimin e manipulimeve. Siç pretendon PS-ja, ndodhën në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës, por edhe në mes të një beteje që socialistët thonë, se e kanë fituar me votë dhe po ua marrin në tavolinë, betejën për Tiranën. I kontaktuar nga “TV Klan”, Fatos Nano, ka sqaruar nëse kishte marrë ose jo ftesë nga lideri aktual i Partisë Socialiste Rama, tha se nga Rama ai priste ndjesën dhe jo ftesën. Më pas, ai shtoi se nuk kishte marrë asnjë ftesë nga Rama dhe se nuk ishte hera e parë që Rama bënte të tilla lojëra politiko-mediatike.