Lajme Shqip Saturday, 11 June 2011 17:07

Tiranë – Rezultati final për Tiranën do të duhet sërish të presë përfundimin e betejës ligjore në Kolegjin Zgjedhor, vendimet e të cilit shtyjnë në kohë shpalljen përfundimtare të kryebashkiakut të ri dhe marrjen e detyrës prej tij, për një mandat katërvjeçar.

Të hënën (13 qershor), trupa gjyqësore e Kolegjit do të shqyrtojë kërkesë-padinë e re të paraqitur nga Partia Socialiste, ku pas rrëzimit të dy ankimimeve të para, këtë herë socialistët kërkojnë gjykimin në themel të çështjes që lidhet me fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara.

Në kërkesë-padinë e tretë të depozituar në Kolegj disa ditë më parë, socialistët shprehen ndër të tjera se KQZ, me hapjen e kutive për numërimin e fletëve të votimit që ndodheshin në kutitë e gabuara, ndryshoi tabelat e grupeve të numërimit, sipas tyre, në kundërshtim flagrant me ligjin.

Gjithashtu, PS ankohet edhe për faktin se në fund të procesit të rinumërimit dhe ndryshimit të tabelave, rezultojnë 357 fletë votimi më shumë se sa votues, ndërkohë që edhe konsiderimi si të vlefshëm i fletëve të hedhura në kutitë e gabuara bie në kundërshtim me përcaktimet e kodit zgjedhor, pretendon opozita.

Një javë më parë (3 qershor), Kolegji Zgjedhor pushoi çështjen mbi ankesën tjetër të paraqitur nga Partia Socialiste për zgjedhjet lokale të 8 majit për Bashkinë e Tiranës, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së të datës 23 maj, që nxjerr kandidatin, Lulzim Basha fitues të garës për Bashkinë e Tiranës, me 81 vota më shumë se kandidati socialist, Edi Rama.

Në vendimin e zbardhur të Kolegjit pretendimet e socialistëve të paraqitura në ankimim konsiderohen si të pabazuara. Sipas PS-së, akti i KQZ-së për fletët e hedhura në kutitë e gabuara ka qenë një akt normativ dhe si i tillë duhej të miratohej me shumicë të cilësuar (5 vota), si dhe pretendimi tjetër që KQZ ndryshoi rregullat në fund të procesit.

Por, në argumentat juridikë të Kolegjit “akti i KQZ-së është një akt individual dhe nuk gëzon cilësitë e një akti normativ. Nëpërmjet këtij vendimi është rregulluar një marrëdhënie juridike specifike, e krijuar pas kërkesës së disa KZAZ-ve të njësisë zgjedhore Bashkia Tiranë, lidhur me fatin e një kategorie votash të hedhura aksidentalisht në kutinë e gabuar brenda së njëjtës qendër votimi. Statusi juridik i saj nuk shtrihet në të gjitha KZAZ e Tiranës dhe aq më pak, në të gjithë territorin e Shqipërisë, pasi akti i KQZ-së rezulton vetëm për 9 zona zgjedhore”, shpjegon Kolegji.

Sipas tij, KQZ është vënë në lëvizje nga një fakt konkret dhe jo abstrakt. “Për pasojë edhe votimi me katër vota ‘pro’ është i vlefshëm”, shprehen në vendim gjyqtarët e Kolegjit.

Ata arsyetojnë se “akti i KQZ-së është në përputhje me ligjin dhe Kodin Zgjedhor dhe që nuk parashikon në asnjë rast moslejimin apo ndalimin e vlerësimit dhe numërimit të një sasie të caktuar votash, qofshin këto të hedhura në kutinë e gabuar, vota që shprehin qartë vullnetin e zgjedhësve që kanë votuar dhe po kështu nuk ndalon të drejtën e çdo zgjedhësi që vota e tij të shyrtohet dhe vlerësohet, nëse është e vlefshme. Eshtë detyrimi kushtetues për vlerësimin e votës që detyron KQZ-në jo vetëm të numërojë, por edhe të vlerësojë votat e zgjedhësve në arritjen e qëllimit final, sigurimin e integritetit të procesit zgjedhor”, shpjegohet në vendimin e anëtarëve të Kolegjit.

Lidhur me pretendimin e socialistëve se “vendimi i KQZ-së është i paligjshëm sepse ka përcaktuar rregulla të reja në një fazë të procesit që konsiderohet e kapërcyer”, Kolegji u shpreh se “KQZ nuk ka normuar rregulla të reja, por ka zgjidhur një situatë të re, të patrajtuar më parë”.

Pas zbardhjes së vendimit të Kolegjit, PS reagoi duke deklaruar se kjo trupë nuk e ka interpretuar në mënyrë korrekte ligjin për vendimin e datës 3 qershor, kur rrëzoi poshtë kërkesën e opozitës për deklarimin të paligjshëm të vendimit të KQZ-së për rinumërim të fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara.

Një ditë pasi u publikuan argumentat ligjore të rrëzimit të ankesës, PS reagoi duke deklaruar se Kolegji ka shkelur ligjin, ndërkohë që për PD-në, vendimi i tij është i mbështetur në ligj.

Në vijim të debatit politik për Tiranën, kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së komitetit ndërministror për Integrimin, konfirmoi se parimi i numërimit të çdo vote ku qëllimi i qytetarit është shprehur, është parimi më themelor i çdo sistemi zgjedhor, një parim që ekziston në çdo demokraci dhe sipas tij, ky qëndrim gjeti sanksionim të plotë edhe në vendimin e Kolegjit Zgjedhor të datës 3 qershor, një vendim që sipas tij, ishte në mbështetje të Kushtetutës.

Por, nga ana e tij, kryetari i opozitës, Edi Rama, duke iu referuar deklaratave të zyrtarëve të KE-së tha se “ato janë një këmbanë alarmi që tregojnë se gjërat në Shqipëri nuk po shkojnë në drejtimin e duhur”. Rama ripërsëriti se nga vendimi i ardhshëm i Kolegjit Zgjedhor për ankesën tjetër të opozitës, do të varet edhe rruga që do të ndjekë më pas vendi.