Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 11:14

Tiranë – Tirana është Bashkia më e madhe e Shqipëris, kryetar i parë i së cilës në kohën e shpalljes kryeqytet, 94 vjet më parë, ka qenë Ismail Efendi Ndroqi. I zgjedhur në 1917 me votim popullor, Ismail Ndroqi ishte një personalitet i njohur i kohës, si teolog përparimtar e filozof, i shkolluar në Stamboll. Në 5 vitet e qëndrimit të tij si kryqytetar i Tiranës, e njohur atëherë si “Katundaria dhe Bashkia e Tiranës”, i dha asaj fizionominë e një qyteti të mirëfilltë. Së bashku me mikun e tij, inxhinierin Eshref Frashëri, ata i dhanë kryeqytetit  planin e parë urbanistik, që përfshinte hapjen e rrugëve, ndërtimin e asamblit të ministrive dhe Bulevardin e madh në qendër të qytetit.

Ismail Efendi Ndroqi njihet si kryetari i parë i bashkisë së Tiranës si kryeqytet (e shpallur në Kongresin e Lushnjes më 1920). Kryetari i bashkisë së Tiranës, pas shpalljes së Pavarësisë në 1912, ka qënë Zyber Hallulli, i cili e drejtoi atë deri në 1914. Ndërsa gjatë periudhës 1915-1916 Tirana u drejtua nga Servet Libohova.

Ismail Efendi Ndroqi ka qënë kryetari më jetëgjatë në Bashkinë e Tiranës nga shpallja e pavarësisë deri në vitin 1944, kur u vendos regjimi komunist. Gjatë atyre 32 viteve bashkia e Tiranës është drejtuar nga 16 personalitete si Ali Begeja, Fuat Toptani,  Qazim Mulleti,  Qemal Butka, Omer Fortuzi,  Halil Meniku, etj.

Ndërsa gjatë përiudhës së komunizmit 1944-1990 Tirana është drejtuar nga 20 kryebashkiakë të zgjedhur formalisht.

Me rënien e komunizmit, populli filloi të votonte sërisht për kryetarin e qeverisë vendore. Prej vitit 1991 në krye të bashkisë më të madhe në vend u zgjodh Tomor Malasi 1991-1992, më tej Sali Kelmendi 1992-1996, Albert Brokaj 1996-2000 dhe  Edi Rama 2000-deri më sot.

Kur Tirana drejtohej nga Ismail Efendi Ndroqi.

Ismail Ndroqi ka qënë një personalitet karizmatik i kohës, patriot e mbi të gjitha bashkëpuntor i mirë.

Për të ndërtuar Tiranën “ideale”, ai afroi në bashki personalitete të njohura, të shkolluar jashtë vendit në shkollat më të mira, të cilët kishin krijuar eksperienca pune në vende të zhvilluara të kohës. Së bashku me ta Ismail Ndroqi i dha formë kryeqytetit, i cili deri në atë kohë ishte veç një vend pushimi dhe shlodhjeje për qytetarët afër saj me shumë pak shtëpi të ulta.

Pinjoll i kësaj familje, nipi i tij, mjeku i njohur Zamir Ndroqi, tregon në një intervistë për ATSH-në pasionin dhe punën e gjyshit të tij për të ndërtuar Tiranën, kryeqendrën e Shqipërisë. I rrethuar mes librave dhe  gazetave me fletë të zverdhura, doktor Ndroqi  na rrëfen themelet e ndërtimit të Tiranës. Ai tregon se “Ismail Ndroqi hapi rrugët, një prej tyre ishte dhe rruga e Durrësit. E gjithë kjo u bë në bazë të një plani të austriakëve i vitit 1916. Me hapjen e rrugëve u zgjerua dhe qyteti,  u rregulluan kanalizimet. Planin e parë urbanistik të Tiranës e hartuan sëbashku me inxhinierin Eshref Frashërin, mikun e tij dhe pjesë e elitës qytetare të kohës, ku projektuan ansamblin e ministrive dhe Bulevardin e madh. Më tej, bashkëpunoi me inxhinierin italian Castelani, ku  u zgjerua më tej plani për Tiranën”.

Si një ndër kryebashkiakët më të prirur drejt bashkëpunimit, ndoshta dhe i vetmi deri më sot, Ndroqi me ndihmën e shtetit Amerikan dhe Kryqit të Kuq Amerikan ndërtoi dhe spitalin e parë civil të Tiranës. Kryqi i Kuq amerikan mundësoi aparaturat dhe spitali u ngrit pranë sahatit. Udhëtarët e vizitorët e asaj kohe e përshkruajnë si  një spital në kushte shumë të mira për Shqipërinë e atyre kohe. Madje, miku i tij Justin Godart, kryetar bashkie në një qytet të Francës, me të cilin krahas vizitave kishin dhe një letërkëmbim të rregullt, në librin me kujtime e përmend shpesh Ismail Ndroqin dhe vlerëson së tepërmi punën e tij.

Një rëndësi të veçantë bashkia e parë e Tiranës u kushtoi dhe varrezave të qytetit, të cilat deri në atë kohë ishin të shpërndara kudo. Me ndërtimin e varrezave të reja u bë dhe një sistemim i rregullt i tyre.

I formuar në një mjedis patriotësh e dijetarësh, ai vuri në dispozicion të ëndrrës së tij për Tiranën e shekullit të ri, gjithçka kishte, madje në shtypin e kohës, Gazeta “Shqiperia e re” e Konstancës së Rumanisë më 28 qershor 1921, për Ismail Efendi Ndroqin, ndër të tjera ka shkruar “njeri i ndershëm, atdhetar i mirë dhe i vërtetë, i çveshur prej rrobës së fanatizmit. Ishte përbetue ta vejë peng jetën për hir të kombit.”

“Ndonëse ishte një dijetar i fesë islame, ai ishte një njeri tepër përparimtar. Ishte një ndër inisiatorët e themelimit të Kryqit të Kuq Shqiptar.  Lidhur me këtë në atë periudhë lindën shumë diskutime në qarqet fetare: Si ka mundësi që themeloni Kryqin e kuq,  Ju jeni kryetar i bashkisë, por jeni dhe një personalitet fetar, dhe ai u përgjigj: Ky është  një simbol i një institucioni bamirësie dhe jo fetar”, rrëfen  Zamir Ndroqi nga kujtimet e tij.

Ismail Ndroqi, si kryetar i bashkisë së Tiranës, krijoi dhe strehën e parë vorfnore për fëmijët jetimë dhe ata të braktisur ku të gjenin ngrohtësinë e një vatre të madhe famljare.

Falë shkollimit të tij 15 vjeçar në shkollat më të mira të Stambollit, kishte si qëllim përhapjen e shkollave shqipe dhe arsimimin e gjerë të shqiptarëve.  Pasi ka lexuar kujtimet e bashkëkohësve të gjyshit të tij, Zamir Ndroqi na tregon ai “kishte si qëllim hapjen e shkollave shqipe dhe kur mori vesh se Kryqi i Kuq amerikan do të hapte një shkollë në Shqipëri, ai argumentoi se Tirana ka nevojë për një shkollë, pasi ishin mbarapa me arsimimin dhe ndihmoi në ndërtimin e kësaj shkolle teknike, e njohur si Harry Fultz dhe siç tregohet dhe në kujtimet e bashkëkohësve ai ngulmonte që ato të ishin shkolla të shqiptarizmës dhe jo fetare”.

Një ndër prirjet e tij ishte dhe filozofia, ndaj shtëpia e Ismail Efendi Ndroqit ishte e mbushur me shprehje filozofike të qendisura në jastiqet e zbukurimit apo dhe në dekorime të tjera. Shprehja e tij e preferuar ka qënë “Gjuha shpëton njeriun”, pasi për të komunikimi ishte thelbësor në jetën e çdo kujt.

Edhe para se të vinte në krye të bashkisë së Tiranës, Ismail Ndroqi ka qënë aktiv në vitet më të vështira të historisë së Shqipërisë, para pavarësië së 1912 edhe gjatë kongreseve vendimtare të historisë së vendit, duke qenë pjesëmarrës dhe organizator i tyre. Idealet dhe dashuria e tij e fortë për Tiranën dhe Shqipërinë  e përplasën  me grupet obskurantiste të kohës, por ai nuk hoqi dorë prej idealeve të tij, as pas burgosjes, dënimit me pushkatim, të cilit fatmirësisht i shpëtoi në fill dhe as pas torturave 6 mujore, Ismail Ndroqi ishte i vendosur të ndërtonte Tiranën e shekullit të ri, duke kontribuar kështu dhe në Shqipërinë e shekullit të ri. Me fuqinë që i buronte prej shpirtit, Ismail Ndroqi arriti t`ia dilte mbanë themelimit të Tiranës menjëherë pas ardhjes në krye të bashkisë së Kryeqytetit.

Nga bashkëkohësit, ai do të mbahet mend për humanizmin dhe patriotizmin e tij. Hafiz Ali Korça, bashkëpuntor e bashkëvuajtës nëpër burgje, mikun e tij Ismail Ndroqin e përshkruan kështu: “Ismail Efendi Ndroqi  ka qenë shumë i buzëqeshur, sikur ka qenë Kadi, e Myfti, ashtu edhe Kryetar i Bashkisë. Para popullit asht sjellë aq mirë sa as kush prej tij nuk ankohet. Ky jasht ligjit s’ka dalë kurrë. Nuk e di se vallë a do ta zërë kush vendin e tij!”.