Lajme Shqip Thursday, 20 October 2011 16:22

Tiranё – Maxhoranca dhe opozita bashkuan votat në Kuvend gjatë miratimit të dy marrëveshjeve, ajo e kredisë ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Unicredit Bank Austria për financimin e projektit ‘Furnizimi me ujë i Bilishtit’, si dhe të marrëveshjes me Qeverinë e Kosovës për transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe mallrave.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ftoi sërish gjatë punimeve të seancës opozitën të miratonte projektligjin “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”, i cili kërkon 84 vota, por duke qënë se opozita nuk dha konsensusin e saj, ky proces u shty.

Njëherësh deputetët u njoftuan për depozitimin e draftit ligjor të grupit parlamentar socialist për “ndryshimin e tatimit mbi vlerën e shtuar”. Dhe projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, u shty për në seancën e ardhshme.

Seanca vijoi me interpelancën e ministrit të Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, Genc Pollo, kërkuar nga deputeti Taulant Balla. Deputeti Balla, pas interpelancës në Kuvend të ministrit të Informacionit, Genc Pollo, akuzoi këtë të fundit për shkelje të ligjit në dhënien e lejeve për fibrat optike, duke njoftuar se do e çojë dosjen në prokurori.

Pollo i cilësoi shpifje akuzat në adresë te tij, duke deklaruar se ka zbatuar vetëm ligjin. Kryeparlametarja Topalli njoftoi për paditë e ngritura për shpifje në sallën e Kuvendit ndaj deputetëve të PS, Balla dhe Tahiri.

Në diskutimet për çështjet jashtë rendit të ditës u trajtuan tema si incidenti teknik i dy ditëve më parë në minierën e Bulqizës, ku humbi jetën një minator, Progres -raporti i KE për 2011, projektligji për Gjykatën Administrative, siguria dhe rendi publik, shërbimi shëndetësor, realitete të ndryshme të jetës sociale etj.