Lajme Shqip Saturday, 27 April 2013 17:49

Prishtinë – Revista prestigjioze amerikane, The New Yorker, e sjell një shkrim të gjatë rreth akuzave të bëra nga Dick Marty për trafikim të organeve në Kosovë. Dëshmitarët e prokurorisë serbe portretohen si rrenacak patologjik.

Në një shkrim të gjatë plotë nëntë faqe magazina e njohur amerikane The New Yorker, në numrin e saj të fundit, është marrë intensivisht me akuzat që kane defiluar viteve te fundit rreth mundësisë që UÇK te kishte kryer krime dhe posaçërisht për rastet e trafikimit te organeve.

Në këtë shkrim të dendur me intervista dhe me fakte gazetari e ka portretuar si gënjeshtar patologjik dëshmitarin kryesor që prokuroria e Serbisë e ka për rastin e trafikimit të organeve.

Sipas shkrimit, ky dëshmitar, i cili flet deri në detaje se si i është hequr zemra një serbi ti ri në një fshat të Shqipërisë, përpara se të rekrutohej nga prokuroria serbe si njeri i tyre i besueshëm ka qenë i akuzuar nga shteti serb për vjedhje.

“Ky dëshmitar mund të jetë rrenacak, por në rastin e rrëfimit të tij për trafikimin e organeve ai ka të drejt”, citon revista zëvendës kryeprokurorin serb për krime të luftës Bruno Vekaric.

Gazetari i The New Yorker e ka intervistuar katër herë këtë dëshmitar, i cili thotë se ka thënë se ka qenë ushtar i UÇK’së, mirëpo ky gazetar nuk ka arritur të gjejë fakte për ta dëshmuar dëshminë e tij.

“Rrëfimi i këtij dëshmitari se si i është hequr zemra një të riut dhe se si është bartur ajo deri në Turqi është krejtësisht e pabesueshme”, ka thënë për New Yorker një kardiokirurg i spitalit të Harvardit.

Dëshmitari, që gazeta e quan Adrian – emër i shpikur – ka treguar se kur e kishin sjell një të ri serb për t’i marrë zemrën në një shtëpi në afërsi të Kukësit, të njëjtin e kishin shtrirë të gjallë dhe e kishin lidhur këmbësh e duarsh.

“Ai po bërtiste në serbisht ‘Bože pomozi me’. Ne e lidhëm e pastruam me shumë alkool trupin e tij. E hapëm ashtu të gjalle dhe madje e pashë teksa po i rrahte zemra dhe të njëjtën ia morëm, duke e futur në një qese me lëngje”, ka treguar dëshmitari.

“Gjëja e parë që nuk duhet të bëhet është që trupi të mos laget me asgjë. Pra, transplanti i zemrës assesi nuk do të duhej të fillonte me një pastrim me alkool”, i ka thënë revistës kardiokirurgu nga Harvardi.

“Ajo çfarë thotë dëshmitari mund të përshkruhet si torturë, por jo si operacion”.

Gazeta ka sjell edhe fakte të tjera kundërthënëse të akuzave të prokurorisë, ndonëse aty gjerësisht përmenden edhe vrasjet e dëshmitarëve ne rastin e Ramush Haradinajt dhe Daut Haradinajt, si dhe presioni i dëshmitar ne rastin e Fatmir Limajt.

“Nëse e konsideroni te nevojshme unë mund të jap dorëheqje tash”, e citon The New Yorker një diplomat në Prishtinë, i cilin e citon reagimin e Kryeministrit Thaçi fill pas raportit të Dick Marty’it.

“Hashim Thaçi ka qene Mick Jagger’i i UÇK’së”, i ka thënë magazinës, ish ambasadori francez, Francois Fitou.

Në këtë rrëfim të gjatë gazetari i The New Yorker është marre gjerësisht me rastet e krimeve të luftës ku protagonist kanë qenë Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Sabit Geci dhe rasti i Medicusit.

“Unë do të jam në anën e drejtësisë në çdo kohë”, thotë Kryeministri Thaci, të cilin gazetari e përshkruan si njeri me stil dhe njeri të trendeve.

“Në jetën time vetëm një herë e kam shkelur ligjin, atë të Milloshevicit. Dhe për këtë jam krenar”.(LajmeShqip.com)