Lajme Shqip Tuesday, 24 September 2013 10:39

 

Fatmir Limaj pati buzëqeshur fort në nëntor të vitit 2007 kur ecte prapa Hashim Thaçit në Sheshin 21 në Prishtinë. Kënga që dëgjohej në sfond ishte ‘The final countdown’ e hit grupit ‘Europe’. Numërimi mbrapsht për ndarjen e këtyre dy njerëzve fillon gati katër vjet më vonë. Fundi duket se është tani.

Njerëzit kryesor të PDK-së në atë kohë po vinin të dilnin para turmës që i priste për ta festuar fitoren e parë të PDK-së në zgjedhjet nacionale. Limaj kishte humbur për pak garën në Prishtinë por i gëzohej faktit se do të bëhej ministër. 

Kur u formua qeveria e re nga PDK-ja dhe LDK-ja, Limaj mori një nga ministritë me më së shumti para, atë të Transportit dhe Telekomunikacionit.
E nisi me hov të madh punën në MTPT duke shtruar shumë rrugë, deri në projektin për autostradë Prishtinë – Durrës, kontrata e të cilit u kontestua shumë nga ana e shoqërisë civile dhe partive opozitare.
Thaçi mbronte punën e tij, e edhe Limaj të qeverisë. Madje në një rast, Kryeministri Thaçi ia shkarkoi një zv. ministër Limajt, Naser Osmanin (LDK), i cili tha në Kuvend ‘t’psh**i në Qeveri!’ e Limaj u rrok keq me fjalë me të. Pak orë më pas Thaçi e shkarkoi Osmanin.

Por miqësia mes ‘Gjarprit’ dhe ‘Çelikut’ do të merrte teposhtën në vitin 2010 kur EULEX-i i hyri me të madhe ministrisë që drejtohej nga Limaj, pasi po e hetonte atë për korrupsion e akuza të tjera. 
Thaci nuk foli shumë. U takua me shefin e EULEX-it në atë kohë dhe u pajtuan që këtë punë të ia lënë në dorë drejtësisë. E Limaj, tha se ‘nëse edhe një cent dëshmohet se është marrë nga ai ose dikush i afërm i tij, atëherë do të jepte vetëm ai përgjegjësi’.
Në publik kishin dalë fjalë se Limaj nuk i fliste Thaçit pasi kishte llogaritur në mbrojtje më të madhe publike  nga shefi.

Në vitin 2011, qeveria PDK dhe LDK u rrëzua dhe sërish PDK-ja doli e para. Limaj nuk u bë ministër, dhe për këtë, fajtori kryesor ishin ambasadat e huaja.
Pas kësaj Limaj lëshon më haptas idhnimin e tij, duke kritikuar Qeverinë në të cilën s’ishte ai, shpesh në media e shpesh në Kuvend. 
Limaj dhe Thaçi më s’po shiheshin bashkë dhe nuk dilnin as në përurim rrugësh. 

Kur po afrohej fundi i vitit 2012, në shesh dalin përgjime telefonike të Adem Grabovcit, që ishte dikur Zv. ministër i Limajt, me kreun e PDK-së Thaçin, Kadri Veselin, Vlora Çitakun e Sami Lushtakun. 

Thaçi në njërën nga to i quan ‘banditë’ ekipin e Limajt në Malishevë. Fjalë jo bash të hijshme u folën edhe për Jakup Krasniqin. Edhe ky nga ai moment filloi të ndahej nga kolegët e partisë.
Limaj nuk dilte shumë në publik përgjatë gjithë këtyre muajve. Gjykata e vendoste atë ose në paraburgim, ose arrest shtëpiak. 

Kur gjykata e shpalli të pafajshëm, të martën e kaluar, Çeliku doli dhe takoi qytetarët. Të gjithë e pritën një javë dhe spekuluan për të ardhmen e tij në PDK.

Sot ai buzëqeshi në Palestrën Sportive në Malishevë. Thaçi nuk ishte aty. Limaj tha se ‘njerëzit duhet të votojnë për ndryshime demokratike në Kosovë’. Deklarativisht e tha se e mbështet në Malishevë, Iniciativën Qytetare të dalë nga PDK-ja. “The final countdown” nuk u lëshua. Ndoshta sepse ai ka përfunduar tashmë. /reporteri/