Lajme Shqip e Mërkurë, 04 Korrik 2012 17:49

Prishtinë – Kryeministri i i vendit, Hashim Thaçi ka ripërsëritur edhe njëherë se vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë hap një kapitull konkret të shtetit të Kosovës për në NATO dhe Bashkim Evropian. Gjithashtu ai ka shprehur përkushtimin për përfshirjen e komuniteteve, në mënyrë të veçantë atij serb në veri të vendit, që të gëzojnë të gjitha të drejtat e përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës.

Ai në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të mërkurën ka thënë se 2 korriku 2012 shënon një datë simbolike, por në të njëjtën kohë edhe historike për Kosovën. Thaçi ka thënë se kjo ditë dëshmon se është bërë një rrugë të gjatë, e mundimshme me plotë sakrifica, por e suksesshme për qytetarët e shtetit të Kosovës.

Për më tepër, ai ka thënë se me vendimin e 2 korrikut është hapur kapitulli i ri i shtetit të Kosovës për integrim në NATO dhe BE. ”Është hapur edhe kapitulli konkret i shtetit të Kosovës në NATO dhe BE. Dua të potencoj se tërë Grupi Drejtues Ndërkombëtar ishte unik dhe entuziast në mbështetje të progresit të arritur në Kosovë dhe në mbështetje të vendimit për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë”, ka theksuar Thaçi.

Shefi i Qeverisë ka konsideruar se bashkërisht të gjithë kanë një punë të shkëlqyeshme e cila e ka bërë Kosovën shtet të respektuar jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Gjithashtu, ai ka shprehur konsideratën e lartë për punën e Zyrës Ndërkombëtare Civile për zbatimin e planit gjithëpërfshirës të Ahtisarit, duke shtuar se tani institucione i mbetet të vazhdojnë sundimin e ligjit.

Por ai nuk ka lënë edhe pa përmendur edhe komunitetin serb, duke thënë se ky komunitet në veri të vendit duhet të integrohet dhe të gëzoj të gjitha të drejtat që parashihen me Kushtetutën e Kosovës. “Për më tepër ritheksoj zotimin tonë për përfshirjen e komuniteteve në mënyrë të veçantë për serbët në veri që t’i gëzojnë të gjitha të drejtat e përcaktuara me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës. Në këtë aspekt ne jemi zotuar të gjejmë bazën për vazhdimin e EULEX-it deri në qershorin 2014”, ka theksuar ai.

Po ashtu, Thaçi ka theksuar se takimi ardhshëm dhe përmbyllës i Grupit Drejtues Ndërkombëtar do të jetë në Prishtinë.

Ndryshe në mbledhjen e Qeverisë është miratuar projektligji për regjistrimin e pengut në regjistër për sendet e luajtshme, gjithashtu është miratuar edhe propozim-vendimi për themelimin e strukturës koordinuese për zbatimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Po ashtu është miratuar edhe koncept-dokumenti për hartimin e Projektligjit për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit dhe propozim-vendimi për Organizatën dhe Funksionimin e Strukturave për Zbatimin e Planit të Veprimit të Strategjisë së Reformës në Administratën Publike. (K.P)