Lajme Shqip Thursday, 07 March 2013 14:30

Prishtinë – Gjatë seancës solemne me rastin e 15 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), deputetëve u është drejtuar edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se Epopeja e UÇK-së shënon me të drejtë sakrificën e familjes Jashari. Sipas tij, tri ditët e Epopesë krijuan luftën e drejtë për çlirimin e Kosovës nga okupuesit shekullorë, duke realizuar ëndrrën për Çlirim të të gjithë brezave.

Thaçi duke kujtuar të kaluarën ka thënë se UÇK-ja ishte niveli më i lartë i organizimit politik dhe ushtarak që ka njohur ndonjëherë Kosova dhe si e tillë është cilësuar edhe si lëvizja më e suksesshme guerile e shekullit të XX-të.

Ai ka folur edhe për të tashmen duke çmuar të arriturat e tanishme dhe duke premtuar për punë të vazhdueshme në të ardhmen.

E kemi për obligim të përulemi para Epopesë së Jasharajve

Ka filluar seance solemne me rastin e 15 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Seanca ka filluar me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës, i cili edhe këtë herë është injoruar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i cili e ka thirrur këtë seancë solemne ka thënë se ky Kuvend dhe këta deputet e kanë për obligim që të përulet me respekt për Epopenë e Jasharajëve në Prekaz me 5, 6 dhe 7 mars.

Selimi ka kujtuar Shaban Jasharin, në Ditën e mësuesit, duke çmuar punën e tij.

Ai ka thënë se rasti i flijimit të Familjes Jashari është unik në botë dhe si i tillë duhet kujtuar dhe ruajtur në vlerat më të larta të shtetit, pasi ata janë realizuesit e lirisë.

Selimi ka lexuar emrat e 56 të vrarëve të familjes Jashari në seancë. (K.P/LajmeShqip.com)