Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 14:29

Prishtinë – Të enjten mbahet interpelanca e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, në bazë të kërkesës së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme.

Në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi do të paraqitet në interpelancë para ligjvënësve me kërkesë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kurse interpelanca ka të bëjë me autostradën Vërmicë-Merdare dhe shpenzimet që po bëhen në ndërtimin e kësaj rruge.

Kryesia e Kuvendit vendosi që në këtë seancë të jenë në lexim të parë edhe disa projektligje. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi iu kundërpërgjigj kritikave për intensitetin e punës së Kuvendit. Ai tha se legjislativi po mban më shumë seanca sesa i ka të parashikuara.

Zyrtarë të institucioneve përgjegjëse për procesin e integrimit, kanë shtruar nevojën që zyrtarët e lartë shtetërorë të mos shkojnë në pushime, por të angazhohen në mënyrë që raporti i Progresit i Bashkimit Evropian të jetë më pozitiv.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ka thënë se vetë nuk do të pushojë gjatë korrikut e gushtit. Sipas saj, kështu duhet të bëjnë edhe ministrat dhe deputetët tjerë. (LajmeShqip.com)