Lajme Shqip Monday, 02 November 2015 14:47

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme, pas votimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se ky është një moment i veçantë historik i rrugëtimit të shtetit të Kosovës në procesin e integrimit evropian.

Sipas Thaçit, ratifikimi i kësaj marrëveshje është mesazhi më i mirë i orientimit të politikës, institucioneve dhe qytetarëve kosovarë.

“Ratifikimi i marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian është mesazhi më i mirë i orientimit të politikës dhe institucioneve kosovare dhe qytetarëve të Kosovës, orientimi euroatlantik. Natyrisht se ky ratifikim është produkt i një pune shumë vjeçare, i shumë njerëzve, i të gjitha institucioneve të vendit në nivel qendror dhe lokal, i shumë mandateve qeverisëse, i shumë autoriteteve lokale, shoqërisë civile, i mediave, por mbi të gjitha është vullneti dhe kontributi i qytetarëve të vendit dhe vizionit të politikës kosovare”, ka deklaruar Thaçi.

Mirëpo, sipas tij, Kosovës tash i shtohen edhe obligime dhe përgjegjësi të reja.

“Tash ne marrim edhe përgjegjësitë e reja pas ratifikimit të kësaj marrëveshje, përgjegjësi këto që do të ndërlidhen drejtpërdrejt me implementimin e kritereve për të vazhduar drejt edhe reformat politike në legjislacion dhe ekonomi. Ky ratifikim hap perspektivën drejt zhvillimit ekonomik, por mbi të gjitha hap edhe një perspektivë të konsolidimit të shtetit tonë, të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar, të aplikimit të Kosovës në të ardhmen edhe në INTERPOL”, ka deklaruar ai.

Siç raporton “Zëri”, Thaçi në këtë konferencë në hollin e Kuvendit të Kosovës, tha se tani Kosovës i hapen dyert edhe të liberalizimit të vizave. Sipas tij, kjo gjë pritet të ndodh në fund të vitit 2016.

“Gjithashtu, edhe sa i përket perspektivës tjetër euroatlantike aplikimin për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës, gjithashtu dhe për themelimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës dhe para së gjithash, ky hap sot i ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian është edhe mesazhi i qartë se e ardhmja për liberalizimin e vizave është shumë më e afërt, është e prekshme që do të ndodh në të ardhmen shumë të afërt. Kosova ka implementuar të gjitha kriteret dhe tash varet nga vendimi politik i Bashkimit Evropian dhe unë shoh vullnet në Bruksel që kjo të ndodh në të ardhmen shumë të afërt, pra rekomandimit. Gjatë pjesës së fundit të vitit 2016 të jetë viti që qytetarët e Kosovës do të lëvizin si të gjithë qytetarët e tjerë evropian”, ka deklaruar Thaçi. /ZËRI