Lajme Shqip Sunday, 10 July 2011 15:54

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë kthimit nga Dubrovniku, ku mori pjesë në Samitin e Kroacisë, ka zhvilluar një takim me ish-kryeministrin dhe liderin e Partisë Demokratike Socialiste të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, në Budva – Mal të Zi, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin fqinjësor të të dy vendeve dhe për zhvillimet në rajon.

Zyra e shtypit e qeverisë kosovare njoftoi sot se në takimin e kryeministrit Thaçi me ish-kryeministrin malazez Gjukanoviç, është vlerësuar bashkëpunimi mes dy vendeve dhe është shprehur gatishmëria e vazhdimit të bashkëpunimit të mirë ndërfqinjësor.

Gjatë kthimit nga Dubrovniku, kryeministri Hashim Thaçi është ndalur edhe në një darkë pune me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, me të cilin  ka biseduar për bashkëpunimin dhe agjendën evropiane të të dy vendeve.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Dubrovnik, në Samitin e Kroacisë, ka zhvilluar takime të ndara me liderët dhe homologët e tij të vendeve të rajonit.

Nga burime zyrtare të qeverisë kosovare është njoftuar se në takimin që ka zhvilluar me kryetarin e Kroacisë, Ivo Josipoviç, kryeministri Thaçi ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e marrëdhënieve të mira në mes të dy vendeve.

Ndërsa, në takim me kryeministren e Kroacisë, Jadranka Kosor, ka biseduar për bashkëpunimin dhe ndihmën që shteti kroat mund t’i ofrojë Kosovës në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Thaçi është takuar edhe me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Në takim me kryeministrin maqedonas, është biseduar për marrëdhëniet fqinjësore në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, për bashkëpunimin e ndërsjelltë në rrugën e integrimeve evropiane dhe të ndërtimit të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Një takim të veçante, kryeministri ka zhvilluar  me kryeministrin e Belgjikës, Yves Leterme, në të cilin është biseduar për angazhimet që populli i Kosovës dhe institucionet e saja janë duke ndërmarrë në funksion të procesit të integrimeve evropiane.

Kryeministrit Hashim Thaçi dhe bashkëbiseduesi i tij kanë konstatuar fuqimisht se perspektiva e vendeve të rajonit është integrimi i plotë në Evropë dhe në ndërtimin raporteve ndërshtetërore sipas modelit evropian.