Lajme Shqip Friday, 19 April 2013 13:20

Buruksel – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke hyrë në ndërtesën ku po mbahen takimet në Bruksel, ka shfaqur shpresën që raundi i dhjetë i bisedimeve të jetë përfundimtar për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, nën udhëheqjen e kryeministrit serb, Ivica Daçiq, takohen sot me kërkesën e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, për t’i dhënë edhe një mundësi marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. 

“Shpresoj që edhe Serbia ka reflektuar dhe do ta pranojë sot marrëveshjen, në mënyrë që të pajtohemi në parim”, u ka thënë zoti Thaçi gazetarëve të mbledhur.

Sipas tij, marrëveshja do të mundësonte lëvizje të lirë te njerëzve dhe mallrave, si dhe zhbërje të strukturave të paligjshme serbe në veri.

Ai tha se sistemi i policisë dhe drejtësisë do të jenë një sistem unik, sipas ligjeve të Kosovës, ndërsa Aasociacioni i komunave serbe, tha kryeministri i Kosovës, s’do të ketë rol legjislativ, ekzekutiv apo të pushtetit të tretë.

Kosova është në proces të sigurt për anëtarësim në Bashkimin Evropian, NATO, OSBE dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.(LajmeShqip.com)