Lajme Shqip Sunday, 14 April 2013 20:26

Prishtine – Ende mbetet e paqartë se si do të vendoset për dialogun Kosovë – Serbi pas refuzimit të marrëveshjes nga ana e Serbisë. Adresa për çdo përgjigje është tek baronesha Ashton, ka thënë të dielën kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po ashtu është shprehur se negociata tjera nuk do të ketë.

“Tani gjithçka do të varet nga angazhimi, përkushtimi dhe udhëheqja e Baroneshës  Eshton. Adresa për çdo përgjigje  është në Bruksel, e konkretisht tek Baronesha Eshton. Tjetër negociata nuk do të ketë. Tjetër adresë nuk do të ketë dhe dialog të drejtpërdrejtë nuk do të ketë”, deklaroi kryeministri.

Më tej kryeministri Thaçi ka thënë se shpreson ende që gjërat do të lëvizin drejt marrëveshjes dhe se sipas tij është momenti i fundit që Beogradi të jetë i qartë me Bashkimin Europian.

“Ne ende shpresojmë që gjërat do të lëvizin drejtë marrëveshjes. Është momenti i fundit, që Beogradi të jetë i qartë me BE-në me Brukselin. Të jetë i qartë me vendimmarrjen që do ta merr. Do të mbetet në pozicionet e së kaluarës, që determinojnë përfundimisht izolimin e Serbisë. Por  nëse merr vendimin për arritjen e marrëveshjes, që e përcakton një të ardhme evropiane për Serbinë, Kosovën dhe gjithë rajonin”, u shpreh zoti Thaçi.

Po ashtu, kryeministri i Kosovës ka thënë se as shteti i Kosovës dhe as BE-ja nuk do të mund të mbesin peng të Beogradit.

Ndërkaq, i pyetur për mundësinë që Shtefan Fyle të bëhet ndërmjetës i dialogut, shefi i Qeverisë së Kosovës tha se idetë tjera nuk kanë ndonjë validitet, nuk kanë ndonjë qasje serioze dhe është vetëm pretendim për zvarritje apo manovrim diplomatik nga ana e Serbisë.(LajmeShqip.com)