Lajme Shqip Monday, 10 June 2013 10:31

Washington – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, sot fillon vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të takohet me nën Kryetarin e SHBA-ve, Joseph Biden, Zv. Sekretarin e Departamentit të Shtetit, William Burns, nën Sekretarin e Mbrojtjes, James Miller, Kongresistin Eliot Engel, si dhe shumë senatorë, kongresistë dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë.

Përpos takimeve zyrtare dhe intervistave me medie të njohura Amerikane, Kryeministri Thaçi do të mbajë edhe një ligjëratë në Universitetin John Hopkins.

Gjatë kësaj vizite në SHBA Kryeministri Thaçi do të vizitojë edhe shtetin e Iowas, me të cilin Kosova ka të nënshkruar marrëveshjen për partneritet. Në Iowa Kryeministri Thaçi do të takojë përfaqësues të shtetit të Iowas, si dhe investitorë dhe biznesmenë të këtij shteti.

Në përmbyllje të vizitës në SHBA, Kryeministri Thaçi do të qëndrojë në Nju Jork, ku do të merr pjesë në takimin e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në këtë vizitë Kryeministrin Thaçi e shoqërojnë edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku.