Menjëherë pas ratifikimit të Marrëveshjes për MSA-në, ka ardhur edhe reagimi i zv.kryeministrit, Hashim Thaçi.
Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, Thaçi ka vlerësuar se kjo ngjarje shënon një sukses të shumëpritur për Kosovën në përmbushjen e aspiratave për integrime evropiane.
Megjithatë ai ka shprehur keqardhje për largimin e deputetëve të Opozitës nga salla e Kuvendit, duke e quajtur si “veprim nihilist”.
Ja postimi i plotë:
Urime të gjithëve për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të parës marrëveshje kontraktuale mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Kjo ngjarje e gëzuar shënon një sukses të shumëpritur për Kosovën në përmbushjen e aspiratave të popullit tonë për integrim në Bashkimin Evropian.
Shpreh keqardhjen për largimin e partive të opozitës nga salla gjatë procesit të votimit por gjithsesi jam i bindur se ky veprim nihilist nuk e zbeh aspak rëndësinë e kësaj arritje historike të vendit tonë në politikën e jashtme. HTH