Lajme Shqip Wednesday, 11 September 2013 13:34

Prishtinë – Kreu i Qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi bëri thirrje që të zgjidhet sa më shpejtë situata e krijuar ditëve të fundit me Maqedoninë. Ai tha se situata e bllokimit të kufirit nuk është e shëndetshme as për shtetin e Kosovës as për shtetin e Maqedonisë dhe nuk është fryma evropiane e relacioneve të mira mes dy vendeve. Thaçi tha se Kosova e ka biseduar edhe me kryeministrin e Maqedonisë, ku është shprehur shqetësimi për këtë situatë të krijuar, andaj edhe kërkoi zgjidhjen e saj sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe të kthehet në gjendjen e mëparshme.

“Jemi dakorduar që kjo çështje të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur, të kthehet në gjendjen që ka qenë, kështu që ju ftoj që të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur, natyrisht duke respektuar gjithmonë interesat e qytetarëve dhe shtetittë Kosovës, por duke respektuar edhe standardet evropiane”, tha kryeministri Thaçi.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë Mimoza Kusari Lila njoftoi kabinetin qeveritar se situata në kufirin me Maqedoninë vazhdon të mbetet e njëjtë, dhe se sipas saj, deri te kjo situatë ka ardhur për shkak të refuzimit të Maqdonisë për heqjen e masës së ndalesës së importit të miellit.

Ndërkohë, kabineti qeveritar aprovoi marrëveshjet e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë takimit të fundit në Bruksel për çështjen e telekomunikacionit dhe energjinë. Kryeministri Hashim Thaçi tha para kabinetit qeveritar se rëndësia e arritjes së këtyre marrëveshjeve është shumë e madhe si në aspektin e përfitimeve politike, ashtu edhe ekonomike. Ai tha se Kosova shumë shpejt do ta ketë kodin e saj unik telefonik.

“Rëndësia dhe përfitimet politike dhe ekonomike si rezultat i këtyre dy marrëveshjeve janë shumë të rëndësishme për shtetin tonë. Pas shumë përpjekjeve të mëdha, Kosova si rezultat i marrëveshjes për telekomunikacionin më në fund do ta fitojë edhe një atribut tjetër të munguar të shtetësisë së saj”, tha ai.

Sa i përket marrëveshjes për energjinë, Thaçi tha se edhe kjo i jep fund ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në sistemin energjetik të Kosovës.

Marrëveshja për energjinë, sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili është shumë e rëndësishme, edhe sa i përket investimeve të huaja në Kosovës, pasi që sipas tij, deri më tani ka pasur hezitim nga investitorët, për shkak të mungesës së plotë të kontrollit në sistemin energjetik./rtk/