Lajme Shqip Friday, 02 May 2014 12:31

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit në vend, për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, si dhe konsolidimin demokratik të vendit. Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi theksuan se krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është i domosdoshëm, dhe është një proces gjithëpërfshirës që nuk ka alternativë. Kosova duhet ta ketë forcën e vet mbrojtëse, e cila do ta kompletojë konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe të bëhet kontribuuese e sigurisë kolektive përmes anëtarësimit të saj në NATO.

Kryeministri Thaçi e njoftoi Presidenten Jahjaga për konsultimet e vazhdueshme me subjektet politike për mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme, të parakohshme në Kosovë, dhe e theksoi qëndrimin e tij që zgjedhjet të mbahen me 8 qershor, në pajtueshmëri me forcat e tjera politike.

Presidentja Jahjaga theksoi se do të vazhdojë të luajë rolin e saj të faktorit të unitetit politik në Kosovë, se do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, të cilat përcaktojnë mënyrën e shpalljes së zgjedhjeve, si dhe do të respektojë vendimin që do të arrihet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend.