Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 17:00

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi kundërshtoi sërish  idenë për ndarjen e Kosovës. Duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të zyrtarëve serbë rreth kësaj çështjeje, Thaçi theksoi se kjo do të jetë e papranueshme.

Kryeministri Thaçi i bëri thirrje Beogradit që t’ua bëjë me dije serbëve të veriut të Mitrovicës, se edhe ajo është pjesë e territorit të Kosovës, është Kosovë, dhe se ata janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe kryeqytet i tyre është Prishtina.

Zv/kryeministri serb, Ivica Daçiq, është ndër zyrtarët serbë më të zëshëm, i cili vazhdon deklarimet për ndarjen e Kosovës. Së fundmi ai ka thënë se Serbia ka bërë gabim të madh, që nuk ka biseduar me Shqipërinë për Kosovën, duke thënë se Kosova duhet të ndahet midis Serbisë dhe Shqipërisë.

“Është e nevojshme të përcaktohet vija kufitare midis Serbisë dhe Shqipërisë, dhe ky është opsion real. Serbia nuk është dashur të pranojë askënd tjetër si negociator përpos Shqipërisë”, ka thënë Daçiq.