Lajme Shqip Wednesday, 18 January 2012 19:30

Prishtinë-Kryeministri Hashim Thaçi ka ftuar krerët e Lëvizjes Vetëvendosje të bisedojnë për të shmangur protestat e reja të paralajmëruara nga ky subjekt politik për datën 22 janar.

Thaçi theksoi se Vetëvendosje duhet të kthehet në Parlament dhe aty të bisedohet për të gjitha çështjet.

Dilemat dhe dallimet zgjidhen vetëm në institucione dhe e ftoj Lëvizjen Vetëvendosje që të mos e bartë politikën në rrugë

“Unë e ftoj edhe Lëvizjen Vetëvendosje që të vijë në Parlament dhe aty të bashkëbisedojmë dhe të zhvillojmë debatin për dilemat dhe dallimet që mund t’i ketë spektri politik kosovar. Dilemat dhe dallimet zgjidhen vetëm në institucione dhe e ftoj Lëvizjen Vetëvendosje që të mos e bartë politikën në rrugë”, u shprehur Thaçi.

Kryeministri rikujtoi se Kosova tashmë ka arritur marrëveshje me Serbinë për këtë çështje dhe është zotuar se marrëveshjet ndërkombëtare, si edhe Kushtetuta dhe ligji, do të jenë çështje të panegociueshme.

“Ne të gjithë duhet ta dimë se nuk mund të bëhet kompromis me ligjin, Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Debati politik nuk nënkupton debat për Kushtetutën, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare.” theksoi Thaçi.

Para se kryeministri Thaçi të adresonte këtë ftesë, Vetëvendosje deklaroi sërish se do të organizojë protestën e 22 janarit, e cila si qëllim ka bllokimin e hyrjes dhe kalimit të mallrave nga Serbia në territorin e Kosovës.

Dardan Molliqaj nga ky subjekt politik, tha se dallimi i vetëm i organizimit të protestës së datës 22 me atë të 14 janarit, mund të jetë masiviteti, duke besuar se edhe më shumë njerëz do t’i përgjigjen thirrjes së Vetëvendosjes për bllokimin e rrugëve për mallrat e Serbisë që provojnë të futen përmes kalimeve kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë.

 “Prapë do të jemi në pikat Dheu i Bardhë dhe Merdare, ku në mënyrë të njëjtë, sikurse më 14 janar, do ta bëjmë bllokimin e rrugëve që vijnë nga Serbia, për ta ndaluar Serbinë në Kosovë. Sigurisht që do të rrimë aty derisa Qeveria e Kosovës nuk e zbaton vendimin e Parlamentit të Kosovës” tha Molliqaj.

Para 22 janarit, është paralajmëruar që edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, të provojë që t’i ulë partitë politike dhe subjektet tjera relevante në një tavolinë bisedimesh, në mënyrë që të shmangen protestat dhe dhuna.

Megjithatë, Dardan Molliqaj i Vetëvendosjes, theksoi se bisedimet me presidenten nuk mund ta zhbëjnë mocionin e Kuvendit të Kosovës për reciprocitet me Serbinë.