Lajme Shqip Tuesday, 16 April 2013 17:29

Prishtinë – Kryeministri Hashim Thaçi, në një konferencë për media në Aeroportin e Prishtinës, pak para nisjes për në Bruksel, ka shfaqur besimin e tij se nesër do të arrihet marrëveshja për Veriun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ende ka dallime, por besoj se gjatë këtyre ditëve Beogradi ka reflektuar për të marrë një përgjegjësi dhe për të qenë më fleksibil. Ata duhet të largohen nga ngurtësia që kanë pasur në takimet e fundit”, ka thënë ai.

“Ne udhëtojmë me bindjen se do të arrihet marrëveshja që hap një kapitull të ri mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar ai.

Sipas Thaçit, nga ky proces nuk përfiton vetëm Kosova, por edhe vetë Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare që ka investuar aq shumë që të ketë paqe në Ballkan.

Por, sipas tij, marrëveshje nuk mund të ketë nëse nuk respektohen ligjet e Kosovës.

“Ne do të respektojmë Kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”.

Thelbi i marrëveshjes, sipas Thaçit, është që të ketë zgjedhje të lira.

“Duhet të mbahen zgjedhjet, duhet të krijohet Asociacioni i Komunave Serbe pa kompetenca ekzekutive dhe legjislative”.

Megjithatë, Kryeministri i Kosovës ka thënë se nuk do të jetë e lehtë arritja e marrëveshjes për shkak të pozicionit serb.

“Por unë besoj se do të jetë takim i marrëveshjes”.(LajmeShqip.com)