Lajme Shqip Tuesday, 25 June 2013 14:23

Prishtinë – Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se data 3 nëntori për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, ka dalë nga takimi i fundit në Bruksel. Ai ka thënë se kjo datë është arritur me anë të kompromisit, por siç ka thënë përherë të parë zgjedhjet lokale po mbahen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe në një ditë të vetme.

Sipas tij, kjo po ndodhë për herë të parë dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale në të njëjtën ditë në gjithë territorin, shënon progresin më të madh në ndërtimin e shtetit, raporton KosovaPress.

Shefi i Qeverisë është ndier mirë që nuk është lejuar mbajtja e zgjedhjeve lokale të mbahen në dy data.

Madje ai, ka thënë se është i gatshëm të pranoj çdo datë që vjen nga opozita, por duke kërkuar që të marrin edhe përgjegjësinë për organizimin e zgjedhjeve në gjithë territorin e vendit në të njëjtën ditë.

Gjithashtu, në rend të ditës në mbledhjen e kabinetit qeveritar ka qenë edhe shqyrtimi i projektligjit për Amnistinë.

Me këtë rast, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi thënë se ky Ligj për Amnistinë ka filluar më 2011 kur është marr vendim të amandamentohet Kushtetuta, por sipas tij kjo procedurë nuk ka mundur të përmbyllet deri në përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës.

Ministri Kuçi ka sqaruar rreth këtij Ligji, duke thënë se nuk mund të ketë amnisti vetëm për shqiptarët, sikurse vetëm për serbët.

Për më tepër ai ka thënë se ky ligj rregullon kushtet dhe procedurën për të cilët jepet amnistia për personat që janë të dënuar për një vepër penale, janë në ndjekje penale para datës 20 qershor 2013.

Ai ka thënë se me 20 për qind nga ekzekutimi i dënimit do të lirohen 45 vepra. Sipas tij, nuk janë ato vepra për të cilat njerëzit mund të kenë dilema qoftë etnike.

Personat që janë dënuar për herë të parë me 3 muaj, ata do të lirohen, ndërsa ata që janë të dënuar për herë të parë për 3-6 muaj do falet për 50% dënimi.

Pas prezantimit të këtij projektligji, kryeministri Thaçi ka thënë se çështja e Ratifikimit të Marrëveshjes dhe Ligji për Amnisti do të kalojnë gjatë kësaj jave në Kuvend.

Ndërkohë, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka thënë se përmbushja e kritereve afatshkurtra është konfirmuar nga Komisioni Evropian në prill dhe tani pritet që Komisioni Evropian dhe Këshilli i Ministrave të vendos për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociim (MSA).

Por ministrja ka thënë se kjo MSA për Kosovën është subtanciale, por që sipas saj nuk dallon nga MSA-të e shteteve të tjera.

Për më tepër, ajo ka thënë se Kosova ka demonstruar seriozitet për marrëveshjen teknike.

Madje ajo ka thënë se hapja e negociatave për MSA-në nuk është dhuratë për Kosovën, por proces i merituar.

Ministrja Integrimeve ka shtuar se nuk bëhet fjalë për nënshkrimin e MSA-së, por për hapjen e negociatave.

Gjithashtu, në mbledhjen e sotme është miratuar edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes kornizë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, që rregullon aktivitetet e Bankës Qendrore të Kosovës.

Ndërkohë, sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve më 3 nëntor, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është partia që thotë se nuk i prishë punë kjo datë.