Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 16:31

Tetovë – Nobelisti me prejardhje shqiptare, prof. dr. Ferid Murati ka vizituar Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT). Ai është pritur nga rektori Agron Reka i shoqëruar nga Prorektorët, Dekanët, Sekretari i përgjithshëm dhe Shefja e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë.

”Vizita e juaj e nderon institucionin tonë, stafin akademik dhe studentët tanë. Ne ndjehemi të nderuar me vizitën tuaj në USHT, sikundër krenohemi me emrin dhe veprën tuaj që ka arritur në piedestalet më të larta në shkencat e mjekësisë në nivel botëror”, ka thënë rektori Reka, i cili po ashtu, nobelistin Ferid Murati e njoftoi me historikun e USHT-së, që nga themelimi e deri në ditët e sotme, dhe për rolin dhe rëndësinë që luan në ngritjen dhe avancimin e shkencës ndër shqiptarët. Ndërkohë, nobelisti Ferid Murati, me këtë rast u shpreh i kënaqur me ritmin e punës dhe zhvillimet shkencore dhe akademike në USHT.

“Me lejoni që t’u shpreh kënaqësinë dhe emocionet e mia për pritjen e ngrohtë që më ofruat, po ashtu, më lejoni të ndaj bashkë me ju respektin dhe konsideratat më të larta për këtë Universitet, për rolin e tij për avancimin e shoqërisë shqiptare në Republikën e Maqedonisë”, theksoi Prof. Dr. Ferid Murad, i cili premtoi se në të ardhmen do të mbajë një ligjëratë para studentëve të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisëi.

Në shenjë mirënjohje dhe falënderimi për vizitën e tij në USHT, Rektori Reka, nobelistit Murati i dhuroi një pikturë të piktorit Nevzat Kica.