Lajme Shqip Sunday, 26 June 2011 19:03

Tetovë – Të shtunën dhe të dielën, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 10 – vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe shoqata Josif Bageri organizuan simpoziumin shkencor “Jeta dhe vepra e Josif Bagerit”. PjesëmarrësDitit e këtij simpoziumi i përshëndeti rektori i USHT, Agron Reka, ndërsa kryetari i nderit i Shoqatës Josif Bageri, Branko Manjollovski falënderoi organizatorët për organizimin e këtij simpoziumi dhe kërkoi që përfundimisht në Maqedoni të ngritet çështja e shqiptarëve ortodoksë.

“Unë isha si delja e humbur, por falë juve u gjenda sërish. Më thotë njëri çka të duhet bre ty shqiptarizmi, pse ndërron. I thash jo jo nuk ndërroj unë, unë kam qenë i ndërruar deri tani, unë vetëm se u ktheva në vendin tim”, u shpreh në fjalimin e tij përshëndetës Manjollovski. Mbi jetën dhe veprën e njërit nga rilindasit më të shquar shqiptar folën shumë shkencëtarë, historian, gjuhëtar dhe studiues, ndër të cilët ishin edhe Agim Vinca, Rosana Bejleri, Avzi Mustafa, Anton Pançev, Ana Shahini, Fatmir Sylejmani, Nebi Dervishi, Merita Mazreku, Salajdin Salihu etj. Aktivitetet e simpoziumit shkencor të organizuar në nder të Josif Bagerit, përfunduan ditën e diel në vendlindjen e tij, në fshatin Nestrovë të Rekës së Epërme.

Josif Bageri ishte një ndër figurat më të shquara të rilindjes kombëtare. Ai ishte poet me talent të rallë, prozator, gazetar dhe publicist si dhe atdhetar i flakët, i cili tërë jetën dhe veprën ia kushtoi çështjes kombëtare shqiptare.